Në tetor RrGK hapi dy thirrje për aplikim për grante 

Organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile nga Kosova dhe rajoni tani kanë dy mundësi më shumë që të punojnë për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe për avancimin e barazisë gjinore. Kjo falë dy thirrjeve për aplikim që u prezantuan më 17 tetor, në Prishtinë nga stafi i RrGK-së. 

Rreth 40 pjesëmarrëse u njoftuan me kriteret e përzgjedhjes në raundin e 14-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), përkrahur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe UN Women. 

Diellza Olluri, Koordinatore e FGK, fillimisht ka ndarë me të pranishmet procedurat e aplikimit, duke i nxitur që të aplikojnë organizatat që udhëhiqen nga të rinjtë. 

“Raundi i 14-të i FGK-së vjen pas një periudhe të gjatë të bashkëpunimit të suksesshëm me organizatat tona anëtare. Përgjatë gjithë viteve fondi ka mbështetur organizatat dhe ka ngritur kapacitetet e tyre. Së bashku edhe kësaj radhe do të arrijmë rezultatet më të mira nga idetë tuaja”, u shpreh Olluri. 

 

Ashtu si herën e kaluar, edhe tani organizatat mund të aplikojnë për dy lloje të granteve; grant avokimi individual për një organizatë të vetme, dhe grant avokimi në partneritet për ndryshim ku dy organizata mund të aplikojnë për një nismë të përbashkët. 

Në po të njejtën ditë, një numër i ngjashëm pjesëmarrësish ishin mbledhur për të kuptuar më shumë rreth thirrjes për aplikim të shpallur si pjesë e nismë“Promovimi i të Drejtave të Punës për Gratë” i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe i bashkë-financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim. 

Gentiana Murati, Menaxhere e Granteve, dhe Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit, prezantuan udhëzimet dhe hapat që duhet ndjekur për aplikim, si dhe treguan të gjeturat e raportit “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Ballkanin Perëndimor”.    

“Ky raport shpalos se pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore mbetet shumë e ulët. Duke parë këto rezultate shqetësuese, Koalicioni i Organizatave për të Drejtat e Grave nisi këtë projekt për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet përkatëse për zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit të grave në tregun e punës. Kjo thirrje është një mundësi shumë e mirë që së bashku të kontribuojmë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore”, ka thënë Murati. 

Sanije Grajqevci, Drejtore e Organizatës Aureola, ka vlerësuar informacionet e marra. 

“Infosesioni ishte shumë i qartë, tani kam me e pas shumë më të lehtë për të aplikuar në të gjitha grantet e BE-së, sepse më në fund e kuptova saktë procesin e aplikimit”, u shpreh ajo.  

Partnerët e angazhuar në zbatimin e kësaj nisme janë: Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Reactor  Research in Actionnga Maqedonia Veriore, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) nga Shqipëria, Helsinki Citizens Assembly Banja Luka nga Bosnja dhe Hercegovina, Womens Rights Centre nga Mali i Zi, dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna nga Suedia përmes zyrës së saj në Serbi. 

Ky sesion informues që u mbajt në Prishtinë do të vazhdojë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor (BP). 

*** 

Thirrjet për aplikim të këtyre dy llojeve të granteve mund t’i gjeni KËTU. 

Më 24 tetor RrGK ka shpallur zyrtarisht organizatat përfituese nga raundi i 13-të i FGK-së.  

***