Katër muaj përplot me gjëra të reja, përvoja të mira dhe shkëmbime kulturore.
Me këto fjalë, 30 vjeçarja, Taya Kohnen nga Kolorado, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përshkruan kohën që kaloi në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), nga gushti deri në dhjetor të vitit 2019.
Ajo mbaroi studimet Master në Sistemin, Menaxhimin dhe Politikat e Shëndetësisë Publike, në Universitetin e Kolorados, Denver në vitin 2018. Para vizitës së saj në Kosovë, punoi në një klinikë të madhe të mjekësisë familjare në Koloradon Veriore. Pas pesë vitesh në këtë punë, vendosi të ndjek mundësitë në sektorin e shëndetësisë publike jashtë vendit.
Kohnen kujton takimin e parë me Drejtoren e Programit të RrGK-së, Nicole Farnsworth, e cila e solli atë në ekipin e RrGK-së për të ndihmuar në hulumtimin e fondeve.
“Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për RrGK-në nga miqtë dhe kolegët, kështu që u takova me Nicole si përpjekje për të shtuar rrjetin tim të komunikimit. Ajo dëshironte që dikush të ndihmonte në intervistimin e financuesve lokalë, të kodonte një hulumtim cilësor dhe të hartonte raportin përfundimtar të hulumtimit.”
Që nga gusht ideri në nëntor, Kohnen analizoi trendet e financimit për të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor (BP). Në mes të nëntorit, ky hulumtim hapi rrugë për hartimin e përbashkët të raportit përfundimtar, i cili pritet të publikohet në Bruksel në vitin 2020. Ajo gjithashtu ndihmoi me një propozim të UNICEF-it për trajnimin e stafit të klinikave obstetrike në Kosovë rreth integrimit të perspektivës gjinore, si dhe kontribuoi rreth redaktimit të kumtesave për shtyp dhe artikujve të ndryshëm të shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Kohnen gjatë Paradës së Krenarisë, Prishtinë, Tetor 2019
Kohnen thekson se “Ishte e mrekullueshme të punosh me një organizatë që ka qenë aq efektive në adresimin e shqetësimeve specifike gjinore në rajon, si dhuna me bazë gjinore dhe diskriminimi në vendin e punës.”
Duke vlerësuar mikpritjen që gjeti në Kosovë dhe në RrGK, ajo më tej ka shtuar, “Të gjithë ishin miqësorë e të afrueshëm. Qëllimi ynë i përbashkët për të fuqizuar gratë dhe për të zvogëluar pabarazitë e bëri më të lehtë hendekun e gjuhës. Shpresoj që në të ardhmen, të kthehem në Kosovë si dhe në RrGK,” thotë Kohnen.
Ajo e vlerësoi veçanërisht punën me Nerina Gurin, Hulumtuese dhe Koordinatore e Projektit në RrGK. Ky vlerësim është i dyanshëm.
“Puna me Taya ka qenë një nga përvojat më të mira, duke pasur parasysh profesionalizmin e saj të lartë, vëmendjen ndaj detajeve, aftësitë organizative dhe ato hulumtuese. Më shumë se gjithçka unë e doja qasjen e saj pozitive ndaj gjërave dhe interesin e saj për të mësuar gjëra të reja, qoftë kjo në punë apo në njohjen me gjëra të reja, siç janë gjuha, shoqëria dhe kultura jonë,” thotë Guri.
Para se Kohnen të kthehet përsëri në Amerikë, falënderoi RrGK-në duke thënë “RrGK është një nga komunitetet më të ngrohta dhe më fuqizuese që ndonjëherë kam qenë pjesë. Jam mirënjohëse që pata mundësinë të bashkohem me ekipin e RrGK-së në misionin e tyre për të fuqizuar lëvizjen feministe dhe për të përmirësuar të drejtat e njeriut.”