Qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor (BP) janë zotuar ndaj Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, të njohur ndryshe si Konventa e Stambollit (KS), duke premtuar ofrimin e shërbimeve të fokusuara te të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Por, pavarësisht këtyre zotimeve, një pyetje madhore mbetet: A po e përkthejnë ato këtë zotim në fonde publike reale? Shpeshherë, qeveritë nuk e përmbushin detyrimin e tyre, duke financuar në mënyrë të pamjaftueshme shërbimet thelbësore dhe duke u mbështetur rëndë tek organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave (OGSHC-të), që t’i mbulojnë këto boshllëqe. Këto organizata luajnë një rol kyç në mbështetjen e të mbijetuarave, por mbeten të nënfinancuara, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre dhe vetë shërbimet që u ofrohen të mbijetuarave.
Për ta adresuar këtë boshllëk, një rrjet prej shtatë OGSHC-sh në rajonin e BP-së po shqyrton kostot reale të dhunës me bazë gjinore, në kuadër të veprimit rajonal “Institucionalizimi i Shërbimeve me Cilësi për Rehabilitim dhe Riintegrim për të Mbijetuarat e Dhunës II”, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim. Kjo nismë synon forcimin dhe sigurimin e qëndrueshëm të shërbimeve cilësore për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, duke përdorur Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) për të vlerësuar koston reale të këtyre shërbimeve. Hulumtimi mbulon gjashtë vende të BP-së dhe analizon në thellësi peizazhin e financimit për periudhën 2023–2025. Ai krahason atë që qeveritë kanë planifikuar të shpenzojnë kundrejt asaj që kanë shpenzuar realisht, dhe vlerëson nëse buxhetet e ardhshme (2025–2028) janë në rrugën e duhur për të përmbushur standardet e KS. Thelbësore është edhe llogaritja e kostos për ofrimin e këtyre shërbimeve në mënyrë të duhur dhe e mbështetjes që u nevojitet OGSHC-ve për ta bërë këtë në mënyrë të qëndrueshme.
Kosova tashmë është ndër liderët rajonalë në financimin e shërbimeve të specializuara. Qeveria e Kosovës ka paraparë mjete buxhetore për strehimore, falë avokimit të vazhdueshëm nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe anëtaret e saj, si dhe falë përpjekjeve të institucioneve dhe deputeteve për të ndarë fonde nga buxheti. Megjithatë, strehimoreve ende u nevojitet financim shtesë për të qenë plotësisht të qëndrueshme, dhe Kosova ende ka nevojë për një Qendër për Kriza të Dhunës Seksuale, një linjë ndihme emergjente (SOS), një strehimore për persona Lezbike, Gej, Biseksualë, Transgjinorë dhe “Queer” (LGBTQ+), si dhe për shërbime të specializuara juridike nga organizatat vëzhguese të shoqërisë civile për të përmbushur kërkesat e KS-së.
Metodologjia e këtij hulumtimi bazohet në praktikat më të mira të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ), udhëzimet ndërkombëtare për kosto të shërbimeve sociale, si dhe në metodologjinë e njohur ndërkombëtarisht të përllogaritjes së kostove të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). Kjo metodologji vlerëson saktësisht kostot që kanë ofruesit e shërbimeve dhe institucionet për të siguruar shërbime të specializuara për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Shërbimet e specializuara që shqyrtohen përfshijnë Qendrat për Kriza në Rastet e Dhunës Seksuale, linjat telefonike emergjente (SOS), strehimoret dhe ndihmën juridike të specializuar.
Hulumtimi do të vlerësojë në çfarë mase qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë ndarë dhe shpenzuar mjete të mjaftueshme për shërbimet e specializuara gjatë viteve 2022–2024, në përputhje me standardet e Konventës së Stambollit, si dhe nëse kanë planifikuar buxhete adekuate për periudhën 2025–2028. Po ashtu, do të përllogariten kostot reale për ofrimin e këtyre shërbimeve në përputhje me standardet e Konventës, përfshirë edhe kostot e nevojshme për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile të grave (OGSHC) që ofrojnë këto shërbime, për periudhën 2026–2028.
Disa nga pyetjet kyçe që ky hulumtim synon të përgjigjet përfshijnë: A janë ligjet dhe buxhetet ekzistuese në përputhje me Konventën e Stambollit? Ku qëndrojnë boshllëqet kryesore në financim dhe ofrim të shërbimeve? Cili është roli i institucioneve në planifikimin buxhetor dhe ofrimin e shërbimeve? Sa kushton në të vërtetë ofrimi i shërbimeve cilësore dhe të përputhshme me Konventën?
Këto janë disa nga çështjet thelbësore që do të trajtohen përmes analizës ligjore e politike, hartës institucionale, shqyrtimit të buxheteve dhe ushtrimeve për përllogaritjen e kostove. Hulumtimi synon të shërbejë si bazë për avokim të mbështetur në dëshmi drejt institucioneve për ndarje të mjaftueshme buxhetore, veçanërisht në kuadër të kornizave buxhetore afatmesme dhe buxheteve vjetore, duke filluar nga viti 2026. Sigurimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore është thelbësor për shërimin, mirëqenien dhe parandalimin e dhunës së përsëritur.
Hulumtimi ka filluar në prill dhe pritet të publikohet në nëntor në formën e raporteve të veçanta për secilin vend. Një raport i konsoliduar rajonal, që do të krahasojë rezultatet ndërmjet vendeve, pritet të publikohet në prill 2026.