OJQ Luna vetëdijëson gratë për raportimin e rasteve të dhunës në familje

Dhuna në familje mbetet një ndër format më të përhapura të dhunës të ushtruar në Kosovë. Sado që dhuna në familje paraqet shkelje të rëndë kriminale, thuajse çdo ditë gratë janë viktima të dhunës në familje, e fatkeqësisht nganjëherë edhe viktima të vrasjeve.  

Këto raste janë të shprehura te të gjitha komunitetet në vend. Statistikat e vitit 2019 për rastet e dhunës në familje janë tejet shqetësuese. 

Për të adresuar këtë Organizata “Luna” ka punuar për gjashtë muaj në terren me gra të komunitetit serb nga fshati Plemetin komuna e Obiliqit; nga Mitrovica, nga fshati Ranillug i Komunës së  Gjilanit, nga fshati Uglarë i Komunës së Fushë Kosovës, dhe me gra të Novobërdës dhe Graçanicës.  

Drejtorja Ekzekutive e kësaj organizate, Stanislava Kovacevic ka treguar nevojën për këtë nismë. 

“Gjendja [e pranisë së dhunës në familje] është më e rëndë në mesin e grupeve minoritare, siç janë ato të bashkësisë serbe, rome dhe të tjerave, edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare, ne e njohim gjendjen sepse jemi në kontakt të përditshëm. Andaj edhe realizuam nismën “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të grave nga dhuna në familje”. 

Me anë të kësaj nisme janë realizuar këto aktivitete: Informimi i grave lidhur me të drejtat e tyre në rast të dhunës në familje, tryezë e rrumbullakët me temën “Ndikimi i edukimit patriarkal tek gratë të cilat vuajnë nga dhuna në familje”, ky takim është mbajtur në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit. I është bërë vizitë Policisë pasi që aty është hapi i parë në rast të denoncimit të dhunës në familje. Po ashtu, është bërë vizitë në Shtëpinë e Sigurtë në Novobërdë, e cila është në dispozicion për gratë serbe dhe gratë e komuniteteve të tjera të cilat janë viktima të dhunës në familje.  

Njëra nga përfitueset e kësaj iniciative u shpreh se është shumë falënderuese që ka qenë përfituese dhe se informatat e marra kanë qenë shumë të dobishme për mirëqenien e saj.  

Si pjesë e kësaj inicative u mbajt edhe një takim informues ku morën pjesë mbi dhjetë gra serbe, në fshatin Uglarë të Fushë Kosovës u diskutua për “Informimin e grave rreth të drejtave të tyre në rast të dhunës në familje, në lidhje me institucionet, mbështetjen dhe njohjen e problemeve me të cilat ballafaqohen gratë e pakicave të cilat vuajnë nga dhuna në familje.” Në këtë takim ligjëruese ishte Ariana Qosja-Mustafa, Drejtore e programit dhe Hulumtuese e lartë në KIPRED dhe njëherit Kryetare e Bordit të RrGK-së, e cila foli për shkaktarët dhe viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. 

Ajo i njoftoi të pranishmet lidhur me Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe hapat institucional që duhet ndjekur në rast të përjetimit të kësaj dhune.   

“Jeta pa dhunë në baza gjinore”, është ndër programet kyçe të RrGK-së, përmes së cilit synohet gratë dhe vajzat e të gjitha komuniteteve të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore. 


Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).