Gratë e Uglarës së Fushë Kosovës njoftohen me mekanizmat kundër Dhunës në Familje

Me 22 shkurt organizata “Luna” mbajti takimin e fundit në kuadër të projektit “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të grave – kundër dhunës me bazë gjinore”.

Ky takim u mbajt në fshatin Uglarë të Fushë Kosovës dhe mblodhi mbi dhjetë gra nga komuniteti serb. Temë e diskutimit të këtij takimi ishte “informimi i grave rreth të drejtave të tyre në rast të dhunës në familje, në lidhje me institucionet, mbështetjen dhe njohjen e problemeve me të cilat ballafaqohen gratë e pakicave të cilat vuajnë nga dhuna në familje.”

Nevenka Rikalo, Drejtore e organizatës “Ruka Ruci”, organizatë kjo anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) , bëri një sqarim me të detajuar të kësaj iniciative për pjesëmarrëset.  Ligjëruese në këtë takim ishte Ariana Qosja-Mustafa, Drejtore e programit dhe Hulumtuese e lartë në KIPRED dhe njëherit Kryetare e Bordit të RrGK-së, e cila foli për shkaktarët dhe viktimat më të shpeshta të dhunës në familje.

Ajo i njoftoi të pranishmet lidhur me Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe hapat institucional që duhet ndjekur në rast të përjetimit të kësaj dhune.  Qosja-Mustafa ka vlerësuar se ligjet e Kosovës janë të atilla që garantojnë trajtim të barabartë, por zbatimi i këtyre ligjeve mbetet i dobët. Në këtë pikë u pajtuan edhe të pranishmet, të cilat së bashku diskutuan për rëndësinë e zbatimit të ligjit, si dhe mënyrat e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nga institucionet.

Pjesëmarrëset theksuan nevojën që Qeveria të sigurojë fonde për funksionalizimin e Zyrës së Ndihmës Juridike, e cila më parë ekzistonte në Graçanicë.  Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së, si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).