“Okarina e Runikut” me aktivitete për fuqizimin ekonomik të grave në Rajonin e Drenicës

Shoqata e Grave Bletare “Okarina e Runikut” më 1 korrik, mbajti tryezë për prezantimin e të gjeturave dhe rekomandimeve të nismës “Promovimi i punësimit për përfituesit e Skemës Sociale në Rajonin e Drenicës”.

Në këtë tryezë të pranishëm ishin zyrtarë nga Komuna e Skenderajt: Drejtori i Departamentit të Bujqësisë z. Sokol Sallahu, Zyrtarja për Barazi Gjinore znj. Hyka Imeri, Zyrtarja e Skemës Sociale znj. Syka Beqiri, si dhe përfaqësues nga organizatat e grave dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i kësaj nisme është mbështetja e grave dhe vajza të zonave rurale të Rajonit të Drenicës në sipërmarrje të vogla duke rritur përfshirjen e tyre në jetën socio-ekonomike të vendit, rritjen e punësimit të tyre, si edhe përmirësimin e jetës familjare.

 “Fuqizimi i grave dhe vajzave në zonat rurale mbetet sfidë e madhe për vendin. Në vitet e fundit, Kosova ka bërë përpjekje të rëndësishme për të trajtuar këtë sfidë përmes angazhimeve nacionale për barazinë gjinore”, tha Valbone Sadiku, Moderatore.

Ajo gjithashtu tregoi se gjatë muajit mars janë anketuar 100 persona në rajonin e Skenderajt.

“Nga rezulatet e këtyre anketave kuptohet se në cilat fusha duhet të përqëndrohet ky rajon dhe për çfarë duhet të avokohet, në mënyrë që të krijojmë më tepër mundësi për punësimin e grave dhe zhvillim ekonomik të vendit tonë”, u shpreh Fetije Smakaj, Koordinatore e Projektit dhe Drejtore e Shoqatës “Okarina e Runikut”.

Gjatë trajnimeve, anketës dhe sesioneve informuese, kjo organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) doli  me rekomandimet si vijon,  të marra nga bisedat me gratë pjesmarrëse:

  1. Të bëhet rimburësimi i shpenzimeve të udhetimit për të vijuar shkollimin,
  2. Të rritet numri i bursave për gra dhe vajza,
  3. Të respektohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor: ndarje e barabartë e fondeve dhe suvencioneve si për gra po ashtu dhe për burra,
  4. Të ketë informim të rregullt përmes organizatave jo qeveritare- më shumë pjesëmarrje në dëgjime buxhetore, tryeza dhe trajnime që zhvillohen nga organizatat dhe institucionet.
  5. Të mbahet panairi tradicional ku gratë kanë mundësi të shesin dhe promovojnë produktet e tyre,
  6. Të punohet në fuqizimin e grave dhe vajzave në viset rurale,
  7. Të ketë harmonizim ndërmjet  Drejtorisë së Bujqësisë dhe Qendrës për Punë Sociale për mos ndaljen e asistencës sociale kur bëhet ndarja e subvencioneve.

Z. Sokol Sallahu, e vlersoi shumë këtë nismë dhe shtoi se “Ne si komunë kemi nxjerr shumë përfundime dhe kemi arrit që së bashku të jemi zëri i gruas në Rajonin e Drenicës. Ndërsa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është mëse i domosdoshëm”

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women. 

Përveç organizatës Shoqata e Grave Bletare “Okarina e Runikut”, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.