OPDMK shënon Javën e Distrofisë me hapjen e qendrës së re 

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës – OPDMK ka shënuar fillimin e aktiviteteve të “Javës së Distrofisë 2024” me hapjen solemne të zyrës e cila do të ofrojë shërbime për personat e kësaj kategorie të shoqërisë.  

Në fjalën e saj, drejtoresha ekzekutive e OPDMK, Antigona Shestan, shprehi mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në përmbushjen e kësaj  kërkese të kahmotshme për të cilën apelojnë qe tashmë 12 vite. 

“Sot po marrim frymë më lirshëm, në objektin tonë të ri, ku mundemi me nisë punën dhe me realizu projekte të tjera. Ky do të jetë vend ku personat me aftësi të kufizuara do të takohen, të qajne hallet, të diskutojnë për nevojat që kanë dhe të lobojnë për t’i plotësuar ato”, u shpreh ajo. 

 Falenderimin për të gjithë mbështetësit që mundësuan hapjen e zyrës e dha edhe znj. Resmije Rrahmani (Biba), mobilizuese e grave me aftësi të kufizuara në OPDMK. 

“Këtë herë javën e distrofisë muskulare po e shënojmë ndryshe. Është gëzim i madh që po e hapim zyrën tonë, vendin tonë i cili do të shërbejë si hapësirë ku do i zhvillojmë aktivitetet tona dhe është i hapur për të gjithë ata që kanë nevojë.” tha ajo.

Programi i “Javës së Distrofisë 2024” përmbanë edhe aktivitete të tjera sensibilizuese që do të realizohen në hapësirat publike, në sheshin e Lidhjes, me qëllim të adresimit të problemeve me të cilat ballafaqohen Personat me Aftësi të Kufizuara. 

RrGK vazhdon të përkrahë punën e rëndësishme që bën OPDMK në ngritjen e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara, me theks vajzat dhe gratë, me bindjen që së bashku do të arrijmë rezultate edhe më të mira në këtë drejtim.