Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Medica Kosova ka përmbyllur nismën “Ekzaminimi i perceptimit në arsimin sekondar mbi dhunën seksuale gjatë luftës dhe stereotipet e ndërlidhura me dhunën seksuale dhe dhunën mbi bazë gjinore ”falë grantit të dhënë nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) të RrGK-së.
Projekti ka përfshirë 70 nxënës (32 djem dhe 38 vajza) të ciklit të 11 dhe 12 të gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë të drejtimit natyror dhe shoqëror, si dhe 13 mësimdhënëse të lëndës së historisë, psikologjisë, lëndëve gjuhësore dhe edukimit qytetar nga e njejta shkollë për matjen e përceptimit mbi dhunën seksuale dhe dhunën me bazë gjinore gjatë dhe pas luftës.
Medica Kosova ka organizuar një tryezë me përfaqësues nga institucionet e arsimit dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në komunën e Gjakovës për të publikuar rezultatete e hulumtimit të realizuar. Tryeza mblodhi 13 përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit, studente dhe të rinjë nga organizatat rinore si dhe përfaqësuese nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave duke përfshirë edhe drejtoren e arsimit.
Pas prezantimit të detajuar të të gjeturave nga hulumtimi, pjesëmarrësit u angazhuan në një diskutim të gjërë dhe të hapur lidhur me programet jo-adekuate mësimore kur bëhet fjalë për trajtimin e temave të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore si dhe pasojat e mos-zbatimit të edukimit seksual në shkollimin e mesëm. Hulumtimi u mirëprit nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e cilësuar atë si një iniciativë të parë të kësaj natyre dhe mjaft të nevojshme për edukimin e të rinjëve kundër dhunës seksuale dhe atë në baza gjinore në Kosovë.
Organizata Medica Kosova e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).