Me 22 gusht organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Organizata Rikotta dhe Qendra e Gruas “ATO” në partneritet mbajtën takimin e parë në kushte pandemie me 30 gra boshnjake dhe gorane nga Prevalla dhe fshatrat përreth si Mushnikova, Gornosella, Reçani, Grnqare dhe Lubinje.
Takimi u mbajt në Prevallë, nga udhëheqësja Semra Turbedar e cila u shpreh se iniciativa të tilla janë shumë të qëlluara për këtë rajon.
Organizata Rikotta dhe Qendra e Gruas “ATO” rikthehen me takimet mbi fuqizimin ekonomik dhe ngritjen e kapaciteteve të grave. Me 22 gusht organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Rikotta dhe Qendra e Gruas “ATO” mbajtën takimin e parë në kushte pandemie me 30 gra boshnjake dhe gorane nga Prevalla dhe fshatrat përreth si Mushnikova, Gornosella, Reçani, Grnqare dhe Lubinje.
Ky takim u realizua në kuadër të nismës “Fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve të grave në Prevallë dhe fshatrat përreth”, me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) dhe financim të Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA).
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën rastin të informohen më në detaje rreth mundësive të përfshirjes në punë dhe u trajnuan rreth temave të ndryshme si: Çka është avokimi, si dhe mënyrat e avokimit tek institucionet përkatëse.
Udhëheqësja e këtij takimi, Fikrije Ferizi u shpreh se iniciativa të tilla janë shumë të qëlluara për këtë rajon.
“Përderisa një numër i madh i popullsisë vuan nga mungesa e mundësive për punësim dhe zhvillim, gratë- sidomos ato që jetojnë në zonat rurale, tani edhe me ndikimin e pandemisë COVID19, janë më së shumti të ndikuara nga këta faktorë”, tha ajo.
“Gratë e këtij rajoni përveç se jetojnë në kushte të vështira, ato po ashtu përjetojnë izolim dhe margjinalizim nga familjet e tyre dhe shoqëria në përgjithësi”, shtoi Drejtorja Ekzekutive e Organizatës Rikotta, poashtu Koordinatorja e Projektit, Pranvera Hajzeri – Bullaku.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Zyra për Punësim në Komunën e Prizrenit dhe përfaqësuesi i Drejtorisë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të cilët njoftuan për mundësitë e përfshirjes së këtyre grave dhe vajzave në projektet e tyre.