Një numër i madh qytetarësh, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe fytyra publike ishin mbledhur më 20 maj në sheshin “Zahir Pajaziti” të kryeqytetit për të vazhduar marshin deri para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në shenjë mbështetjeje dhe solidarizimi me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Organizatorët e këtij marshi ishin Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Medica Kosova, Medica Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave- Drenas, si dhe organizata Drejtësi për të Gjithë.
Ky marsh protestues erdhi si reagim ndaj publikimit të një fotografie nga deputetja Flora Brovina, gjë të cilën RrGK e ka dënuar fuqishëm duke e cilësuar si shkelje mbi dinjitetin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e QKRMT-së u shpreh se pamjet e tilla nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë.
“Jemi mbledhur këtu për të shprehur zemërimin, indinjatën e thellë dhe për të kërkuar përgjegjësi rreth skandalit me fotografi të shpalosur në Kuvendin e Kosovës, si dhe për të përcjellur mesazhin e grave dhe burrave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës. Të mbijetuarit duan dinjitet dhe drejtësi”, tha ajo para të pranishmëve.
Trajtim të dinjitetshëm për të mbijetuarat e dhunës seksuale ka kërkuar edhe Mirlinda Sada, Drejtore në Medica Gjakova e cila ka vlerësuar se ky rast për të mbijetuarat e dhunës seksuale ka qenë kthim prapa në vite.
“Kjo ngjarje ka bërë që puna dhe angazhimi ynë që nga paslufta për të përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik të të mbijetuarve të na kthehet mbrapsht. Janë rrënuar përpjekjet tona për t’u ofruar atyre qasje në drejtësi dhe për integrimin e tyre në shoqëri”, u shpreh ajo.
Për simbolikë aktivistët vendosën në rrethojat e parlamentit parullën “Më trajto dinjitetshëm” , si dhe disa fotografi me thënie të të mbijetuarave të dhunës seksuale, në mesin e të cilave “Mos përdor vuajtjen time për karrigen tënde”, “Ti the Jo kur në parlament u fol për mua”, “A nuk ju mjaftoi rrëfimi im, vuajtja ime”.
Marshi gjeti përkrahje edhe nga një sërë organizatash të tjera të shoqërisë civile: Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave-KIPRED, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ÇOHU, Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Lëvizja Fol, Instituti D4D, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Kosovë (YIHR), Instituti pēr Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IMVD), Kosova Women 4 Women, Fondacioni për Edukim dhe Zhvillim, Instituti Riinvest, Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, CEL Kosova, SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Lëvizja FOL, Instituti GAP, INTEGRA, KLI, IKS, CRP/K, CLARD.