“RrGK: Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

Download File

Prishtinë – Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përcjellur me shqetësim publikimin e sotëm, nga Deputetja Flora Brovina, të një fotografie që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

Konsiderojmë se zonja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Poashtu, zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës. Për më tepër mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale.

RrGK u bën thirrje mediave që të largojnë dhe të mos e shpërndajnë këtë fotografi e cila shkel dinjitetin e viktimës të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik.

RrGK ju bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarave, dhe të punojnë në ruajtjen e dinjitetit të tyre duke mos i ritraumatizuar ato dhe familjarët e tyre. RrGK kërkon nga institucionet e Kosovës që nismat që ata ndërmarrin të jenë gjithpërfshirëse, duke mos përjashtuar askënd, siç ishte Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës. Për 20 vite kanë qenë organizatat e grave ato që kanë ofruar mbështetje për këto gra e burra, derisa institucionet për 17 vite me rradhë kanë qëndruar në heshtje.

Në prononcim para mediave, zonja Brovina pohon se këto dëshmi janë paraqitur para organeve të drejtësisë, mirëpo sipas saj, as Prokuroria Speciale e as EULEX-i asnjëherë nuk kanë intervistuar këto viktima. Nëse kjo qëndron, RrGK mbështet fuqishëm dhe pa asnjë rezervë çdo rrugë institucionale në kërkim të drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ky veprim i zonjës Brovina nuk ka kontribuuar  në arritjen e drejtësisë, gjetjen e kryesve të këtyre krimeve apo trajtimin e dinjitetshëm të  mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

RrGK përmes kësaj kumtese kërkon nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në përmbushje të obligimeve në kuadër të mandatit të tyre të kërkojnë llogari nga Gjykatat, si ato vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.