Më 29 janar, në Prishtinë, përfaqësues nga sektori i sigurisë i Kosovës, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar rreth Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” (GPS).
Tryeza u organizua nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF), Komisionerja Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës Remzie Zeqiraj dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me mbështetjen e Drejtorisë së Mbrojtjes së Luksemburgut. Diskutimi u përqendrua në atë se si mbikëqyrja, koordinimi dhe llogaridhënia më e mirë mund ta forcojnë zbatimin e Agjendës GPS në Kosovë, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësi të reflektojnë edhe për progresin e arritur dhe sfidat që mbesin.
Hapjen e ngjarjes e bëri Remzie Zeqiraj, e pasuar nga fjalimi i Erik Dietz, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, dhe Antje Fritz, Udhëheqëse e Programit të Asistencës së DCAF-it në Kosovë. Fritz rikonfirmoi përkushtimin e fuqishëm të DCAF-it ndaj Agjendës GPS në Kosovë dhe globalisht, ndërsa Dietz theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në reformën e sektorit të sigurisë.
“Ne besojmë fuqishëm se paqja dhe siguria mund të jenë të qëndrueshme vetëm kur gratë përfshihen në formësimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë”, tha Dietz. Ai theksoi se paqja dhe siguria gjithëpërfshirëse kërkojnë angazhim si nga qeveria edhe nga shoqëria civile, të cilat luajnë role plotësuese në këto procese.
Kontributet kryesore u dhanë nga Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Remzie Zeqiraj dhe Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e RrGK-së.
Gusia vuri në pah progresin e Kosovës në fushën e GPS-së, duke e përshkruar vendin si një “histori suksesi”: një ndër shtetet e para që e ka miratuar një plan të veçantë të veprimit për GPS-në, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë së tij. “Rezoluta 1325 ka një histori të veçantë në Kosovë… si një demokraci e re”, tha ajo, duke theksuar se vëmendja ndaj Agjendës GPS është mishëruar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës që në fazat e hershme. Duke i njohur arritjet e deritanishme, ajo bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme për gratë në politikë, gjyqtaret dhe diplomatet, si dhe për një rol më të fuqishëm të Kuvendit të Kosovës në monitorimin e zbatimit të GPS-së.
Rogova solli perspektiva feministe, të zhvilluara përgjatë dekadave të angazhimit për të drejtat e grave, duke u fokusuar te roli specifik i organizatave për të drejtat e grave në avancimin e paqes në Kosovë dhe përtej kufijve, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me “Gratë në të zeza” në Serbi. Edhe pse aktivistet për të drejtat e grave shpesh janë anashkaluar nga aktorët ndërkombëtarë dhe janë lënë jashtë proceseve zyrtare të paqes, ato janë mobilizuar vazhdimisht për të bërë që zëri i grave të dëgjohet:
“Mos u zemëroni. Organizohuni!”, tha ajo.
Kjo ka qenë dhe mbetet motoja e aktivisteve për të drejtat e grave. Rogova bëri thirrje për angazhim më të madh të grave në proceset e paqes, duke përfshirë Dialogun Prishtinë – Beograd, si dhe për mbështetje të përpjekjeve të grupeve të të drejtave të grave për ta avancuar paqen. Ajo u bëri thirrje qeverisë dhe aktorëve ndërkombëtarë që t’i marrin seriozisht zërat e aktivisteve dhe ta shfrytëzojnë ekspertizën e tyre.
Disa nga pikat e ngritura nga folësit u theksuan edhe nga Eva Tabbasam, Drejtoreshë e “Veprimit Gjinor për Paqe dhe Siguri” (Gender Action for Peace and Security) në Mbretërinë e Bashkuar, e cila prezantoi gjetjet kryesore nga një draft raport për gjendjen e GPS-së në Kosovë, i hartuar së fundmi. Ajo theksoi se progresi i kufizuar në GPS nuk lidhet me mungesë përkushtimi, por me boshllëqe në zbatim dhe koordinim. Rekomandimet kryesore të raportit përfshijnë: miratimin e një plani të ri të veprimit për GPS-në në kuadër të Programit të ri të Kosovës për Barazi Gjinore; ndarjen e burimeve të mjaftueshme vendore për GPS-në, për ta ulur varësinë nga donatorët e jashtëm; forcimin e mekanizmave institucionalë të koordinimit, ku shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë të përfshihen si vëzhgues; si dhe fuqizimin e mbikëqyrjes parlamentare.
Draft raporti tani do të rishikohet duke u bazuar në kontributet e marra gjatë punëtorisë, ndërsa DCAF mirëpret edhe kontribute të tjera me shkrim.
Ngjarja përfshiu edhe një tryezë të rrumbullakët, të bashkëmoderuar nga Zëvendësdrejtoresha e RrGK-së, Nicole Farnsworth, dhe Eva Tabbasam, ku pjesëmarrësit diskutuan më tej se si veprimet ekzekutive, mbikëqyrja parlamentare dhe mekanizmat e koordinimit mund ta mbështesin në mënyrë më efektive zbatimin e GPS-së. Në këtë tryezë morën pjesë: Remzie Zeqiraj; Edi Gusia; Vlora Çitaku, deputete e Kuvendit të Kosovës; nënkolonelja Zylfije Dema, Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës; Solène Brabant, eksperte për gjininë dhe sigurinë, DCAF; Dania Hadi, përfaqësuese e Ombudspersonit për Mbrojtjen Kombëtare dhe Forcat e Armatosura Kanadeze; si dhe Sylvia Schär Hahn, nga Qendra e Pavarur e Besimit për pjesëtarët e Forcave të Armatosura Zvicerane.
Tryeza e rrumbullakët pasqyroi disa nga gjetjet kryesore të publikimit të kohëve të fundit të RrGK-së, “Paqja dhe siguria në Kosovë: Analizë gjinore”, i përgatitur për Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili vë në pah si avancime të rëndësishme edhe mangësi në shndërrimin e zotimeve për GPS-në në praktikë.
