Shoqata e gruas “Aureola” është themeluar në vitin 1995 për të përkrahur dhe vetëdijësuar gratë dhe vajzat për vetorganizim me qëllim të përballimit dhe tejkalimit të situatave të rënda ekonomike, sociale dhe politike që mbretëronin në atë kohë.
Sot, pas më shumë se dy dekadash këto dhe aktivitete të tjera të shoqatës i shpalos Sanije Grajçevci, Drejtore e “Aureolës”, teksa flet edhe për vështirësitë me të cilat përballet organizata.
“Aureola” tani përmes programit për fuqizimin ekonomik të grave ka krijuar Ndërmarrjen Sociale “Aureola” me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në shoqëri, si dhe arritjen e qëndrueshmërisë së organizatës duke ofruar shërbime me pagesë (kurse të dizajnit, tekstilit, rrobaqepësisë).
“Nuk jemi si biznes privat ku ka rëndësi vetëm fitimi, ne e kemi tejet të rëndësishëm ndikimin social, rritjen e numrit të grave të punësuara dhe shtimin e mundësive të tyre për qasje në tregun e punës. Qëllimi është që përmes ndërmarrjes sociale të rrisim punësimin e grave, si dhe të krijojmë qëndrueshmëri për organizatën”, shprehet Grajçevci.
Ajo tregon se pavarësisht dëshirës së saj momentalisht nuk mund të ofrojnë kurse falas, sado që ka kërkesa të tilla.
“Nëse na përkrahë dikush ne u mundësojmë grave edhe kurse pa pagesë. Ne po i fuqizojmë disa gra që askush nuk i ka marrë parasysh më herët, duke numëruar këtu angazhimin e grave të papunësuara dhe atyre që përballen me vështirësi sociale”, thotë ajo.
Grajçevci si pjesë shumë të rëndësishme të mbështetjes përmend edhe nevojën për angazhimin e vullnetarëve në organizatë.
“Nuk po mundemi me gjetë vullnetarë, kemi nevojë për vullnetarë/e, sidomos në fushën e teknologjisë, në mënyrë që të kemi marketing më të mirë për punën që bëjmë”, shprehet ajo.
Grajçevci ka treguar se gjatë këtij procesi kanë mësuar se kurset e rrobaqepësisë rrisin punësimin/vetëpunësimin e grave dhe vajzave, si dhe rrisin vetëbesimin e tyre.
“Ju thërrasim që të bëheni pjesë e këtij aksioni për të rritur kapacitetet profesionale të grave dhe punësimin/vetëpunësimin e tyre. Vetëm së bashku do të arrijmë objektivat tona. Dhuroni dashuri, mirënjohje dhe fuqi për gruan”, është mesazhi i Grajçevcit për të gjithë përkrahësit e kësaj kauze.
“Aureola” deri tani programin e saj e ka realizuar përmes projekteve të mbështetura kryesisht nga donatorë ndërkombëtarë. Në jetësimin e misionit të “Aureolës” po ashtu ka kontribuar edhe Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) duke përkrahur nismat “Avancimi i Ligjit të Trashëgimisë” dhe “Avokimi i grave për të drejtën e tyre në pronë dhe trashëgimi”.
Deri më tani “Aureola” ka punësuar 7 gra dhe ka arritur të aftësojë profesionalisht 60 gra në fushën e rrobaqepësisë (kryesisht të moshës 18-50 vjeçare).