Me kureshtjen dhe guximin si udhërrëfyes, edicioni i 14-të i FemArt, për gjashtë ditë me radhë, e shndërroi Prishtinën në një hapësirë të artit, reflektimit dhe bashkëbisedimit. Me temën “Përqafo të panjohurën”, festivali krijoi hapësirë për eksplorimin e ideve, përballjen me tema të vështira dhe imagjinimin e mundësive të reja përmes artit.
Përgjatë festivalit, forma të ndryshme të artit u ndërthurën me diskutime, ekspozita dhe punëtori, duke mbledhur artiste, aktiviste dhe profesioniste të kulturës nga Kosova dhe më gjerë.
Më 25 shtator, festivali u hap nga kompania franko-amerikane “CABARET biZ’arT” me një performancë të jashtëzakonshme e cila me satirë, sharm, e humor e udhëhoqi publikun në një rrugëtim të paparashikueshëm përmes temave tabu dhe çështjeve që nuk trajtohen gjithmonë lehtësisht.
Në ditën e dytë, programi shtjelloi tema më sentimentale përmes punëtorive “Lidhjet që na mbajnë”, “Siguria e grave”, “Zbulo klounin tënd të brendshëm”. Dita u përmbyll me shfaqjen teatrore “Arti i të Jetuarit: Akti i Vrasjes”.
Një nga momentet e veçanta të festivalit ishte promovimi i librit “Dashuri në Kohën e Komunizmit” nga shkrimtarja Bessa Myftiu.
Romani sjell historitë e tri heroinave, të lidhura nga një temë e përbashkët: dashuria që kërkon hapësirë për të ekzistuar dhe triumfon pavarësisht rrethanave. Përmes historive të tyre, libri prek tema të lirisë, dashurisë dhe çështjeve që vazhdojnë të mbeten tabu në shoqëri.
Gjatë diskutimit, Myftiu foli për mënyrën se si dashuria në kohën e komunizmit gjente hapësirë për të lulëzuar përmes imagjinatës, edhe në një realitet të formësuar vazhdimisht nga kufizimet dhe vështirësitë.
Një tjetër diskutim i rëndësishëm i festivalit ishte “Gratë Ndërtojnë Paqen”, i mbështetur në gjetjet dhe përvojat e paraqitura në raportin “Dialogue After Peace?”, i cili trajton dialogët e paqes të udhëhequr nga gratë në Kosovë, Kolumbi dhe Filipine.
Diskutimi u nis nga një pyetje qendrore: Të përballura me peshën e luftës dhe patriarkatit, a është e mundur që gratë të ndërtojnë paqen ndër gjenerata?
Paneli vuri në pah kontributin e grave të Kosovës në jetën publike, dialog dhe komunitet – një kontribut që ka qenë thelbësor, por jo gjithmonë i njohur dhe i vlerësuar sa duhet.
Përmes këtij diskutimi u krijua një hapësirë për të nderuar dhe reflektuar mbi kontributin e grave në ndërtimin e paqes, si dhe për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së kësaj historie dhe përcjelljes së saj ndër gjenerata.
Dita e 4-të e festivalit me hapjen e Stacionit Kulturor poashtu shënoi një ngjarje kulturore të rëndësishme, jo vetëm për FemArt dhe pjesëmarrësit por edhe për Prishtinën dhe komunitetin e artit në Kosovë.
Në natën e hapjes, teksa mirëpriti dhe falënderoi pjesëmarrësit, donatorët, dhe të gjithë ata që kontribuuan në themelimin dhe hapjen e Stacioni Kulturor, Zana Hoxha ndër të tjera u shpreh, “Dëshirojmë që Stacioni të jetë më shumë sesa një vend ku zhvillohen aktivitete. Duam të jetë një vend ku njerëzit ndalen, takohen, krijojnë dhe kthehen përsëri. Një vend ku dikush mund të hyjë për herë të parë në teatër, ku një artiste e re mund të krijojë veprën e saj të parë, apo ku mund të lindë një bashkëpunim që sot ende nuk e imagjinojmë”.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati kënaqësinë të ishte ndër pjesëmarrësit e shumtë nga profile dhe sfonde të ndryshme, përfshirë figura të njohura artistike, politike, e kulturore.
Stacioni Kulturor tashmë nuk është vetëm pjesë e përkohshme e qytetit apo festivalit, ky stacion do të qëndrojë i hapur dhe do të jetë i qasshëm për krijues arti dhe art-dashës.
Shoqëruar me tinguj të muzikës nga grupi italian LEDA si dhe nga performanca “Bushtra e Kanaanit” kjo mbrëmje shërbeu si hapësirë e ngrohtë në të cilën u ndanë prapaskenat dhe përjetimet nga zanafilla e idesë e gjerë tek ekzekutimi i saj, duke shënuar kështu moment të shkëmbimit të ideve dhe mirënjohjes për kontribut, mbështjetje, dhe pjesëmarrje përgjatë këtij rrugëtimi.
“Pavarësisht rrethanave të vështira, frikën nuk e ndjemë asnjëherë, sepse ishim bashkë, ishim me njëra-tjetrën”, u shpreh aktivistja Igballe Rogova, duke ndarë përjetimet e saj nga periudha e viteve ’90 në kuadër të FemMarch 1998 e cila ishte pjesë e programit të ditës së 5-të të FemArt.

Ekspozita dhe diskutimi FemMarch shënuan një moment të veçantë në kuadër të festivalit, duke rikujtuar aktivistet, figurat, dhe të gjitha gratë që dhanë kontribut në thirrjet për paqe.
Ngjarja u hap me fotografitë origjinale të Eliza Hoxhës, të kuruara nga vetë autorja, të cilat sjellin nga afër momente nga protestat, thirrjet dhe marshimet e grave të organizuara gjatë viteve ’90.
Paneli i diskutimit, me pjesëmarrjen e Igballe Rogovës, Vjosa Dobrunës dhe Eliza Hoxhës, dhe të moderuar nga Valdete Idrizi, filloi me njohje të kontributit të pashlyeshëm të Flora Brovinës, duke u përcjellur me një minut heshtje si shenjë nderimi ndaj figurës së saj.
Diskutimi vazhdoi duke rikthyer në kujtesë përvojat dhe sfidat e asaj periudhe, por mbi të gjitha rezistencën, solidaritetin dhe guximin e grave që u organizuan, ngritën zërin dhe u angazhuan për ndryshim. Duke trajtuar simbolikat dhe synimet e aktiviteteve të organizuara në atë kohë, secila nga pjesëmarrëset ndau pjesë nga përjetimet e tyre personale gjatë momenteve të planifikimit, organizimit, dhe pjesëmarrjes në marshin e grave me qirinjë në “Thirrje për Paqe”, protestën me fletë të bardha, marshin “Bukë për Drenicën”, si dhe protestën “Divorcimi Paqësor”.
U vë theks i vecantë në faktin se aktivizmi i grave nuk ishte i rastësishëm dhe as vetëm një reagim ndaj zhvillimeve të viteve ’90, por kishte rrënjë më të hershme në historinë e organizimit dhe rezistencës së grave.
Përmes fotografive dhe rrëfimeve të drejtpërdrejta, FemMarch solli në vëmendje emra, ngjarje dhe përvoja që vazhdojnë të dëshmojnë rëndësinë e kontributit të grave në rezistencën dhe lëvizjet shoqërore të Kosovës.
Programi trajtoi gjithashtu një nga çështjet më të rënda që prek gratë dhe vajzat: femicidin dhe qasjen në drejtësi.
Në ditën e gjashtë, paneli “Gratë nuk vdesin, ato vriten: Femicidi dhe drejtësia” solli së bashku profesioniste nga fusha e drejtësisë, të drejtave të grave dhe gazetarisë për të diskutuar mbi femicidin, dhunën me bazë gjinore dhe përgjegjësinë institucionale për adresimin e saj.
Në panel morën pjesë Gresa Caka, avokate dhe ish-Kryetare e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Kosovës; Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore; Arrita Rezniqi, Udhëheqëse e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në IKD; dhe Adelina Ahmeti, gazetare.
Panelin e moderoi dhe raportin e prezantoi Dr. Ariana Qosaj-Mustafa, ligjëruese e jashtme në RIT Kosovo.
Duke folur për sfidat në parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore, Berisha nga RrGK theksoi se ndryshimi nuk mund të arrihet vetëm përmes ligjeve dhe reagimit institucional ndaj rasteve të raportuara. Sipas saj, krahas forcimit të përgjegjësisë së institucioneve, është e nevojshme të punohet në ndryshimin e normave dhe mendësive patriarkale që vazhdojnë ta normalizojnë kontrollin dhe dhunën ndaj grave.
Ajo vuri në pah rëndësinë e përfshirjes së burrave në parandalimin e dhunës, si dhe nevojën që puna për ndryshimin e këtyre mendësive të nisë që në fëmijëri, përmes edukimit, kurrikulave dhe ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve.
“Nëse duam ta parandalojmë femicidin, puna duhet të fillojë që nga fëmijëria, në mënyrë që të ndryshojë mendësia. Ndryshimi bëhet më i vështirë në moshë madhore, por është ende i mundur – truri nuk është gur dhe njerëzit mund të ndryshojnë”, tha Berisha.

