Sot, më 15 qershor është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Produktet menstruale domosdoshmëri, jo luks”, organizuar nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Eco Kos Women (EKW), me mbështetje të RrGK-së.
Përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare diskutuan lidhur me menaxhimin e higjenës menstruale të grave dhe vajzave në Kosovë.
Gjatë këtij takimi u fol për arritjet, sfidat si dhe avokimet e nevojshme që duhet çuar përpara për heqjen/zbritjen e TVSH-së nga produktet higjienike menstruale për vajza dhe gra, si dhe kategorizimin e këtyre produketeve si esenciale.
Fillimisht, Drejtorja Ekzekutive e EKW-së, Magbule Hyseni, përmendi rëndësinë e higjenës menstruale.
“Menaxhimi i higjienës menstruale është esencial dhe lidhet me te drejtën për shëndet, arsimim dhe punë. Në Kosovë vajzat dhe gratë hasin vështirësi të menaxhimit të higjienës menstruale, gjë që pengon ato të gëzojnë të drejtat themelore. Andaj, dhe praktikat më të mira të buxhetimit gjinor vënë në pah përgjegjsitë e shtetit në zbatimin e fondeve në mënyre të barabartë dhe efikase”, tha ajo.
Hyseni ftoi të gjithë pjesëmarrësit që t’i bashkohen punës për të dhënë kontributet e tyre në këtë çështje.
Tutje, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK, përshëndeti institucionet të cilat po shtyjnë avokimin që ka filluar EKW-ja.
“RrGK tashmë me vite punon drejt buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, duke organizuar trajnime në Ministri dhe në Komuna, Kemi avokuar edhe me Ministrin e atëhershëm të Financave, Avdullah Hoti, që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të jetë obligativ dhe të zbatohet nga Qeveria. Kosova doli një shembull suksesi, pasiqë arriti që buxhetimin e përgjegjshëm gjinor ta ketë si pjesë te qeverisë, natyrisht duke ju falenderuar të gjithë përkrahësve, duke përfshirë edhe ata brenda parlamentit”, tha Rogova.
Kurse, Ermira Gashi, përfaqësuese nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përgëzoi EKW-në për nismën, duke theksuar se mirëpret rekomandimet e tryezës.
“Institucionet shtetërore dhe ministritë duhet të marrin për bazë të gjitha rekomandimet dhe të fillojnë me praktikimin e tyre, në mënyrë që të arrihet e drejta themelore e njeriut; pra kujdesi shëndetësor”, u shpreh ajo.
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Kryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, tha se çmon punën e EKW-së dhe me shumë kënaqësi kontribuoi në finalizimin e projektit.
“Higjiena menstruale nuk është çështje luksi. Ajo ka të bëjë me shëndetin e vajzave dhe grave, andaj edhe është domosdoshmëri që t’i qasemi në mënyrën e duhur”, tha ajo.
Natasa Dokovska, Drejtore e OJQ-së Gazetarët për të Drejtat e Njeriut, mbajti një prezantim me temën “Analiza e kostos mbi varfërinë menstruale në Maqedoninë Veriore – Produktet menstruale gjithnjë e më pak të disponueshme për gratë në Maqedoninë e Veriut”.
Për fund, Flutra Bektashi, Menaxhere e projektit prezantoi të gjeturat nga hulumtimi.
Ndër rekomandimet kyçe janë:
- Produktet e higjienës menstruale duhet të klasifikohen si produkte esenciale sepse ato janë të nevojshme për vajzat dhe gratë për të realizuar në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre njerëzore, duke përfshirë shëndetin, arsimin dhe punën.
- Të ndryshohet Ligji Nr. 05 / L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar si dhe Udhëzimet Administrative se si të zbatohet ky ligj, kështu që produktet e higjienës menstruale përjashtohen nga të gjitha taksat doganore dhe TVSH.
Analiza gjinore sygjeron që nga kjo gjë do të përfitojnë familjet me të ardhura të ulëta dhe do të kontribuojë në përparimin e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore duke hequr këtë taksë diskriminuese. Për më tepër, mund të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së grave dhe vajzave në shëndetin dhe administrimin e duhur të higjienës, arsimit dhe punës.
Kjo tryezë u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).
Më shumë lidhur me këtë nismë mund të lexoni KËTU.