Gjatë muajit gusht dhe shtator, organizatat e shoqërisë civile të përkrahura nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizuan disa protesta në disa komuna të Kosovës.
Protesta e parë u organizua në Gjakovë, pas rastit të fundit të dhunës në familje që pati fundin tragjik, ku u vra një grua dhe një fëmijë. Sipas raportimeve të mediave, vrasja ndodhi në Berkoc të Gjakovës, ku vrasësi pasi që fillimisht kishte kërcënuar përmes telefonit viktimën grua të moshës 40 vjeçare, kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe aty e kishte vrarë atë dhe vajzën e saj 9 vjeçare. I njejti ishte bashkëshorti i 40 vjeçares.
Sipas burimeve të RrGK-së, vrasësi kohë më parë ishte mbajtur në paraburgim (maj 2018) për ushtrim të dhunës në familje ndaj të ndjerës, për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për historikun e tij prej krimineli, përderisa gjykata e kishte liruar pas një muaji mbajtje paraburgim. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dënimi minimal për këtë vepër penale është 3 muaj deri në 5 vjet burgim. Lirimi i tij ka dërguar në vrasjen e gruas dhe të vajzës. RrGK beson, që në rast se i njejti do të ishte dënuar paraprakisht, sot nuk do të shkruanim këtë reagim dhe një grua e një fëmijë do të ishin në jetë. Në ditën e vrasjes, e ndjera kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që i kishte pranuar nga tashmë vrasësi i saj, por siç u raportua në media, policia kishte dështuar ta kontaktoj atë.
Të indinjuara nga papërgjegjësia e organeve të rendit dhe sigurisë, të shqetësuara nga mos interesimi për jetërat e grave dhe vajzave në vendin tonë, të tmerruara nga vrasjet makabre që po u bëhen grave dhe vajzave në Kosovë, u organizuan protesta për t’i thënë #BollMa dhunës e vrajses së vajzave dhe grave edhe në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Gjilan dhe Prizren u morrën pjesë qindra qytetarë nga e gjithë Kosova.
Përmes këtyre protestave shoqëria kërkoi hetim të pa-anshëm dhe objektiv në rastet e dhunës dhe vrasjes së grave, dënim meritor për vrasësisit por edhe përgjegjësi institucionale karshi trajtimit të rasteve të dhunës në famlije dhe dhunës e vrasjeve ndaj grave në përgjithësi.
RrGK përmes mediave ka përçuar mesazhin që “Është koha e fundit të reagojmë ndaj vrasësve të grave dhe vajzave. Është mëse e rëndësishme të vihen para drejtësisë kryesit e dhunës. Është mëse e rëndësishme që intitucionet përgjegjëse dhe individ që veprojnë në këto institucione të marrin ndëshkimin e duhur nga shoqëria. Ndëshkim moral dhe ndëshkim ligjor për mbrojtësit e vrasësve, për mirëmbajtësit e rendit patriarkal, për të cilët jeta e grave dhe e vajzave nuk ka kurrëfar vlere”.