Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGj) siguron që fondet po buxhetohen dhe shpenzohen për të adresuar nevojat e ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, siç identifikohen përmes analizës gjinore. Sipas Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore (LBGj), BPGj është një detyrim për të gjitha institucionet publike, duke përfshirë komunat, ministritë dhe organizatat tjera buxhetore. Moszbatimi i BPGj-së, siç parashihet me këtë ligj, përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet sanksioneve. Ky komentar analizon deri në çfarë mase Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës i kanë zbatuar obligimet ligjore për BPGj-në lidhur me Buxhetin e Kosovës për vitin 2024. Komentari fokusohet në linjat buxhetore për të cilat Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), anëtaret dhe partnerët e saj kanë dhënë rekomandime për buxhetin e vitit 2024, si dhe vlerëson se deri në çfarë mase janë zbatuar këto rekomandime.