Kërkesë për zbatimin e detyrimeve të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në buxhetin komunal të vitit 2025

Download File

Rrjeti i Grave të Kosovës ua ka dërguar këto rekomandime të bazuara në dëshmi kryetarëve të komunave, drejtorëve dhe zyrtarëve për barazi gjinore për të informuar buxhetet e vitit 2025, në mënyrë që të përmbushin më mirë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave. Konkretisht, rekomandime janë dhënë për Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Bujqësisë, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Sportit dhe Drejtorinë e Urbanizmit. Këto rekomandime kanë për qëllim promovimin e barazisë gjinore.

Drejtoria e Mirëqenies Sociale: Të krijohet një linjë buxhetore për dhunën me bazë gjinore për të ofruar mbështetje financiare emergjente (veshmbathje, pajisje mjekësore, produkte higjienike) për gratë dhe fëmijët e prekur. Të rriten pagat deri në shumën prej 12,000€ për të punësuar dy punonjës socialë të specializuar për të ndihmuar në rastet e dhunës me bazë gjinore.

Drejtoria e Arsimit: Të ndahet buxheti për më shumë qendra për kujdesin ndaj fëmijëve. Të rritet numri i psikologëve për të trajtuar dhunën dhe ngacmimin me bazë gjinore në shkolla. Të sigurohet që çdo fëmijë me aftësi të kufizuara që ka nevojë për të, të ketë një shoqërues personal. Të përfshihen pecetat higjienike si pjesë e buxhetit shkollor për produktet higjienike.

Drejtoria e Shëndetësisë: Të ndahen mjete për financimin e mamive në zonat rurale, shërbimet e kujdesit shëndetësor në fundjavë dhe këshillimit për gratë në menopauzë.

Drejtoria e Bujqësisë: Të hiqen kriteret për pronësinë dhe bashkë-pagimin për mikro-grantet, për të përmirësuar qasjen në financim për gratë në zonat rurale.

Drejtoria e Shërbimeve Publike: Të ndahen mjete për transportin e rregullt drejt fshatrave për të mundësuar që gratë dhe vajzat të kenë qasje në arsim, punësim dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse.

Drejtoria e Urbanizmit: Të ndahet buxheti për ndërtimin e rampave, rrugëve dhe bordurave për të akomoduar personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit që përdorin karroca, në të gjitha investimeve të planifikuara në infrastrukturë; të vendoset ndriçimi për siguri, të zhvillohen korsi shtesë të sigurta për biçikleta dhe të ofrohen hapësira komunale falas për OShC-të e vogla.

Drejtoria e Sportit: Të sigurohet buxheti për vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat për t’u angazhuar në sport.

Koha e kaluar në hulumtim dhe përpilim të këtyre rekomandimeve u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetit Gjinor (RrMBGj)