Rrjeti i Grave të Kosovës ka kryer një hulumtim të thellë për të analizuar përhapjen, natyrën dhe ndikimin e ekonomisë joformale te gratë dhe burrat e ndryshëm. Ky hulumtim synon të ndihmojë Qeverinë e Kosovës dhe Bashkimin Evropian në zhvillimin e strategjive që adresojnë joformalitetin me një qasje të përgjegjshme gjinore dhe që nuk shkakton dëm.
Ekonomia joformale paraqet sfida të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës. Punëtorët joformalë, shpesh pa kontrata dhe të drejta bazike, përballen me pasiguri dhe të ardhura të ulëta. Kjo situatë është veçanërisht e vështirë për gratë, të cilat kanë më pak qasje në informacione dhe mbështetje për të kërkuar të drejtat e tyre. Puna e papaguar e grave në përkujdesje, angazhimi në bizneset familjare dhe puna bujqësore shpesh mbeten të fshehura, nën hije.
Ky hulumtim përfshiu një analizë gjinore të ligjeve dhe politikave, një anketë përfaqësuese të realizuar në mbarë Kosovën me 1,623 ekonomi familjare dhe intervista me akterë të ndryshëm, përfshirë edhe punëtorët joformalë. Studimi u bashkëfinancua nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar me mbështetje sinergjike nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi për anketën.