Qasja e vështirë në shërbime shëndetësore në komunën e Rahovecit

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës “Gruaja Fermere” ka mbajtur takim avokues për përmirësimin e qasjes së grave në kujdes cilësor shëndetësor.

Në këtë takim, është diskutuar lidhur me ankesat e tyre në kujdesin shëndetësor, në veçanti për gratë dhe vajzat nga vendet rurale për të cilat qasja në kujdes shëndetësor cilësor është vështirë e arritshme.

Muradije Shehu, koordinatore e projektit tha se njohurit janë shumë të pakta, dhe njohuritë për përkujdesin shëndetësor nuk i dinë gratë e vajzat, madje në bazë të një ankete ka dalë se nuk e dinë as numrin e emergjencës.

“Fshatrat në rrethinën e Rahovecit kanë shumë pak informacione. Nga kjo tryezë doli rekomandimi se do të ketë takim me kryetarët e gjitha fshatrave për informim për përmirësimin e kujdesit shëndetësor ndaj grave dhe vajzave. Ky rekomandim doli nga pjesëmarrësit e tryezës dhe kjo do ta ndihmojë qasjen e shërbimeve sepse do të dihen nevojat e secilit fshat,” tha ajo.

Ndërkohë Servete Kastrati, pjesëmarrëse nga fshati Zatriq tha se në fshatin ku ajo jeton nuk kanë as Qendër të Mjekësisë Familjare dhe qasja në shërbime shëndetësore është shumë e vështirë.

“Shërbimet shëndetësore i marrim në Rahovec. Nuk ka as transport. Dalin njerëzit me sëmundje të ndryshme dhe kushdo që i merr me automjet i sjellin në Rahovec që të marrin shërbime shëndetësore. Gjendja është shumë e rëndë. As nuk kanë informata por trajnimet që mbahen sado pak do ju kishin ndihmuar që t’i dinë të drejtat e tyre sepse janë shumë të mangëta”, tha ajo.

Ndërkaq një tjetër pjesëmarrëse Fiknete Kasapi Iska, qytetare e Rahovecit, juriste me profesion, tha se problem ndër vite mbetet sidomos qasja në shërbime shëndetësore gjinekologjike.

“Kontrollet e vajzave te gjinekologu janë të rralla sepse paragjykohen. Andaj edhe ju ikin kontrolleve e që mendoj se është shqetësuese. Unë e di që ndonjëherë i informojnë që është e drejtë ligjore dhe njerëzore t’i marrin ato shërbime, por edhe nga vetë stafi shëndetësor paragjykohen vajzat , andaj hezitojnë t’i kryejnë këto kontrolle që mendoj se janë shumë me rëndësi për shëndetin e vajzave”, tha ajo.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, Elbunit Kryeziu, tha se sa i përket stafit, ka mjaftueshëm ndërkaq edhe shërbimet shëndetësore ekzistojnë por që gjatë diskutimit tha ai, ka parë që mungojnë informatat në fshatrat përreth, lidhur me qasjen në shërbime shëndetësore.

“Projektet e tilla që i realizojnë që informojnë në qasje në shërbime shëndetësore ndihmojnë gratë e vajzat që t’i dinë të drejtat e tyre ligjore për qasje në shërbime shëndetësore, por edhe ato shërbime që ne i ofrojmë. Spitali mungon në Rahovec, ne kemi vetëm shërbimet parësore shëndetësore, rastet që referohen nga ne shkojnë në spitalin e Gjakovës. Por mendoj se ka shumë nevojë për informata, sepse kërkojnë shërbime që ne nuk mund ti ofrojmë, pra na ndalon ligji me i ofru, si psh CT ose shërbime specialistike internistike, kirurgjike etj, “ tha Kryeziu.

Habibe Haxhimustafa drejtore e organizatës “Gruaja Fermere”, tha se shumë pak ka informata nga gra e vajza për qasje në shërbime shëndetësore, ndërsa interesimi për informata është i madh.

“Këtë e ka dëshmuar mbajtja e trajnimeve. Kërkesat kanë qenë që në më shumë fshatra të ketë informim, përmes ligjëratës se si të vijnë deri të qasja në shëndetësi. Ne i kemi informuar se si t’i kërkojnë të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj.  Dhe falë trajnimeve ata i janë drejtuar kryetarit të komunës së Rahovecit me shkrim për të ndërtuar një ambulancë në fshatin Zatriq, e që aty nuk ekziston asnjë Qendër e Mjekësisë Familjare”, tha ajo në takimin e mbajtur në kuadër të projektit “Promovimi i kujdesit shëndetësor primar për gratë në vendet rurale”.

Gruaja Fermere realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).