Shumë gra në Kosovë nuk mund ta përballojnë pagesën e kujdesit shëndetësor ose kontrollet parandaluese të cilat mund t’iu mundësojnë atyre diagnostifikimin e kancerit në fazat e hershme, duke i përmirësuar mundësitë për trajtimin e tij.
“Shumica e grave fshehin sëmundjen,” tha një grua. “Ato mendojnë se është turp [të ankohen për sëmundjet] dhe se duhet ta durojnë dhimbjen. Ato ndihen keq t’u tregojnë burrave të tyre se janë të sëmura, sepse e dinë që kujdesi shëndetësor kushton, dhe familjet e tyre nuk kanë para të mjaftueshme për shërim.”
Prandaj, me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (2,160€), Qendra e Grave Prehja ka vendosur t’i mësoj gratë nga zonat rurale se si të bëjnë vetë-kontrollimin për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Vetëm vitin e kaluar në komunën tonë kanë vdekur gjashtë gra nga kanceri i gjirit,” tha Jeton Rushiti, Koordinator i projektit në Prehja. “Ato nuk kishin kushte të mira ekonomike për të kryer kontrolle të rregullta mjekësore. Projekti ynë ka për qëllim të ngris vetëdijesimin e grave për parandalimin e kancerit të gjirit. Ne mendojmë se nismat e tilla kanë një rol jetik në vetëdijesimin e grave për kancerin e gjirit, si dhe iu mundësojnë atyre të bëjnë kontrolle mjekësore falas.”
Prehja ka organizuar ligjërata për të ngritur vetëdijesimin në lidhje me kancerin e gjirit në katër fshatra të Skenderajt në maj të vitit 2013.
“Është me rëndësi jetike që të bëni vizita të rregullta mjekësore,” tha Dr. Maloku-Krasniqi para 200 grave të cilat morën pjesë në ligjërata. “Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim masa parandaluese dhe të luftojmë kancerin e gjirit,” tha ajo.
Prehja planifikon të vazhdojë t’i ndihmoj gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit duke organizuar diskutime vetë-mbështetëse, ku gratë mund të flasin me psikologë si dhe të këshillohen se si të përballen me kancerin në aspektin emocional.