Podgoricë – Më 24 prill 2019, në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian (BE) në Podgoricë, Qendra për të Drejtat e Grave (QDG) [Centar za Ženska Prava] lansoi raportin e tyre të ri Diskriminimi me baza gjinore dhe punësimi në Mal të Zi.
Raporti paraqiti gjetjet e hulumtimit nga Mali i Zi, lidhur me diskriminimin gjinor në hyrjen në vendin e punës, si dhe në punësim.
Në këtë ngjarje, QDG paraqiti metodologjinë, gjetjet kryesore dhe rekomandimet që rezultojnë nga hulumtimi, si dhe mirëpriti diskutimin në lidhje me këto të gjetura.
Në fjalimin e saj hyrës, Plamena Halacheva, Shefe e Seksionit të Integrimit Europian dhe Tregtisë në Delegacionin e BE-së, tha se barazia midis grave dhe burrave është një vlerë thelbësore e BE-së, duke theksuar se “kjo është gjithmonë një punë në zhvillim e sipër dhe Mali i Zi nuk është përjashtim”. Ajo vuri në dukje se Mali i Zi ende ka nevojë të zbatojë kuadrin ligjor dhe të përmirësojë mbajtjen e të dhënave, duke përfshirë krijimin e Indeksit të Barazisë Gjinore në BE.
“Të drejtat e grave nuk janë kurrë kundër të drejtave të një tjetri, nuk janë kundër të drejtave të burrave,” tha ajo, duke shtuar se “sigurimi i të drejtave është më i mirë për të gjithë në shoqëri”.
Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Siniša Bjeković u pajtua me shumicën e rekomandimeve të raportit, duke vënë në dukje në veçanti që menaxhimi i të dhënave duhet të përmirësohet. “Ne duhet ta marrim këtë raport si një agjendë për punën tonë,” tha ai.
Olivera Komar, Udhëheqëse e Hulumtimit, paraqiti gjetjet kryesore dhe rekomandimet. “Ka një ndjenjë se gjërat duhet të trajtohen “në shtëpi”, para se rastet të dërgohen tek institucionet,” vuri re ajo. Shumica e institucioneve pohuan se nuk mund të bëjnë gjë, me disa që deklarojnë se “duart e tyre janë të lidhura” dhe / ose shprehin skepticizëm për “vërtetimin” e diskriminimit me bazë gjinore.
Maja Raičević, Drejtore Ekzekutive e QDG-së, tha se ky hulumtim është “vetëm fillimi” dhe se QDG do të njoftojë palët e interesuara për punën e ardhshme për të trajtuar diskriminimin me bazë gjinore në Mal të Zi, si dhe në rajon.
Nicole Farnsworth nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) gjithashtu paraqiti gjetjet fillestare nga raporti i ardhshëm rajonal mbi diskriminimin gjinor në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin poashtu; Këshilltari për Barazi Gjinore i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, përfaqësues nga Bashkimi i Sindikatave të Tregtisë së Lirë, nënat e angazhuara në avokim për të drejtën e tyre për punë, pasi politikat qeveritare lanë mijëra të papunë, si dhe përfaqësues nga Shoqata e Romëve.
Kjo nismë u financua nga Bashkimi Evropian dhe Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim, si pjesë e iniciativës rajonale për të trajtuar diskriminim me bazë gjinore në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.