Më 26 mars Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF) “Raba Voca”, mbajti takimin e fundit në kuadër të nismës “Pushimi prindëror si model i ardhshëm në Kosovë”. Në këtë takim pjesëmarrës ishin përfaqësues nga shoqëria civile, Komuna e Mitrovicës, si dhe zyrtare për Barazi Gjinore.
Fillimisht Drejtorja e QMGF “Raba Voca” Fidane Hyseni, njoftoi për të arriturat dhe sfidat gjatë realizimit të kësaj iniciative.
Kurse Albulena Murati, psikologe në këtë organizatë shpalosi hulumtimin e bërë për pushimin prindëror.
“Prindërit duhet të jenë model sa më i mirë me qëllim që të jenë shembull i mirë për fëmijët e tyre”, u shpreh ajo.
Murati tregoi se sipas Ligjit ekzistues të Punës, pushimi prindëror nuk njihet. Kjo pasi baballarëve u lejohet të marrin pushim vetëm dy ditë me pagesë, si dhe dy javë pa pagesë, pushim të cilin mund ta marrin kurdo para se fëmija të arrijë moshën tre vjeçare.
Mirëpo, në ndryshimin e Ligjit të Punës, në të cilin po kontribuojnë edhe ekspertë të shoqërisë civile po synohet pushimi i përbashkët prindëror, ku periudha prej 12 muajsh mund të merret nga nëna, babai apo edhe të ndahet mes tyre. Akterë të ndryshëm të përfshirë në procesin e ndryshimit të këtij ligji kanë propozuar modalitete të ndryshme lidhur me këtë pushim.
150 qytetarë të moshave 19-70 vjeç nga Komuna e Mitrovicës, Vushtrria dhe Skenderaj kanë marrë pjesë në këtë hulumtim.
Në pyetjen hulumtuese se kujt i takon kujdesi ndaj fëmijëve, pjesa më e madhe janë përgjigjur se u takon të dy prindërve. Një përqindje janë përgjigjur se u takon vetëm grave, kurse një përqindje edhe më e vogël kanë vlerësuar se kujdesi ndaj fëmijëve u takon vetëm burrave. Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se një numër tejet i vogël i qytetarëve e kanë shfrytëzuar pushimin e përbashkët prindëror nga vendi i punës.
Hyka Imeri, Zyrtare për Barazi Gjinore në komunën e Skenderajt theksoi se “vajzat diskriminohen që në barkun e nënës, në momentin që dihet gjinia e foshnjës. Tradita dhe mentaliteti janë shumë të vështira për t’u ndryshuar”.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).