“Raba Voca” në mbrojtje dhe fuqizim për gratë dhe fëmijët  

Që nga viti 1999, Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës – QMGF “Raba Voca” punon në Mitrovicë për mbrojtjen, mirëqenien dhe fuqizimin e grave dhe fëmijëve, veçanërisht të atyre që përballen me dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore. Prej vitin 2015 deri më 2025, ka ndihmuar më shumë se 850 gra, vajza dhe djem në periudhat më të vështira të jetës së tyre.   

“Janë raste shumë të vështira”, ka thënë Drejtorja Fidane Hyseni. “Shumë kam rreziku vet, duke shkuar në qytet tjetër me gratë”. Ajo përdori veturën e saj personale për të shkuar te rastet ku institucionet nuk kanë pasur mundësi që të zbatonin përgjegjësitë e veta.   

“Ka ndodhur që nuk kemi pasur mjete për ushqim, dhe stafi i strehimores ka sjellë bukë nga shtëpitë e veta për viktimat e strehuara. Një periudhë kur nuk ka pasur fonde prej shtetit, si strehimoret e tjera, kanë shkuar nëpër biznese për të kërkuar përkrahje”, tha Hyseni.    

E udhëhequr nga Drejtorja Fidane Hyseni, organizata ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë dhe fëmijët, përfshirë strehim, këshillim dhe mbrojtje, duke u fokusuar në mirëqenien e tyre fizike dhe psikosociale. Me ekspertizën e saj në trajtimin e traumës, znj. Hyseni ka ndihmuar shumë gratë dhe fëmijët. 

Përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë, QMGF “Raba Voca” angazhohet kundër dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit, duke avokuar për të drejtat dhe sigurinë e grave dhe fëmijëve. Përmes punës së saj, organizata synon që gratë dhe fëmijët të kenë qasje në mbrojtje dhe shërbime, si dhe mundësi për të jetuar me dinjitet dhe pa dhunë. 

Avokimi për politika më të barabarta është gjithashtu pjesë e punës së QMGF “Raba Voca”. Organizata ka ngritur zërin për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e grave dhe familjeve, përfshirë barazinë gjinore dhe pushimin e përbashkët prindëror. Me energji pa fund, ajo ka avokuar për komunat në ndarjen e fondeve për strehimoret, në bazë të obligimeve të tyre ligjore. 

Përmes këtyre përpjekjeve, QMGF “Raba Voca” vazhdon të lidhë mbështetjen konkrete për gratë dhe fëmijët me angazhimin për ndryshime më të qëndrueshme në politika dhe në shoqëri. 

QMGF “Raba Voca” është anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, duke kontribuuar në një rrjet të përbashkët të organizatave që punojnë për të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe një shoqëri pa dhunë. 

Nëse dëshironi të kontribuoni për QMGF “Raba Voca”, mund të bëni një donacion duke kontaktuar Rrjetin e Grave të Kosovës ose duke ju shkruar drejtpërdrejt vet organizatës në këtë email-adresë (Rabavocacpwc@gmail.com).