Reagim dhe veprim i RrGK-së në çështje kyçe drejt barazisë gjinore dhe të drejtës sociale   

Në shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u ka dërguar letra ministrive, ka bërë reagime dhe ka ndërmarrë shumë veprime për të avancuar barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe vajzave.  

RrGK u ka dërguar rekomandime ministrive, komunave dhe organizatave buxhetore në lidhje me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor (BPGj). Këto rekomandime janë të bazuara në hulumtime dhe evidenca konkrete për nevojat e barazisë gjinore në Kosovë. RrGK synon të sigurojë që proceset buxhetore të përfshijnë perspektiva gjinore dhe të kontribuojnë në avancimin e drejtësisë sociale dhe barazisë gjinore në vend. Ka dërguar:  

  • Letër për Ministrinë e Drejtësisë, ku kemi dërguar rekomandime për financim të mjaftueshëm për Qendër të Krizës për Dhunimet, trajtimin për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe një linjë telefonike SOS, punëtorët socialë, strehimoret dhe zbatimin e kuadrit ligjor për dhunën me bazë gjinore, në përputhje me Konventën e Stambollit dhe strategjitë kombëtare.  
  • Letër Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku kemi rekomanduar për rritje të buxhetit për Zyrën e Mbrojtjes dhe Ndihmës së Viktimave dhe sigurojeni mbështetje të mjaftueshme për Avokatët e Viktimave për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore. 
  • Letër për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ku kemi rekomanduar për investim në krijimin e qendrave publike dhe kopshteve për kujdesin e fëmijëve, duke adresuar nevojat e papunësisë dhe duke krijuar rreth 9,899 vende të reja pune, për t’i mundësuar më shumë grave të punojnë dhe për të përmirësuar rezultatet arsimore në përputhje me Objektivat e Barcelonës (Bashkimi Evropian).  
  • Letër për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, ku kemi rekomanduar për rritje buxheti për Qendrat për Punë Sociale për të punësuar më shumë punëtorë socialë në rastet e dhunës me bazë gjinore dhe të krijohet një linjë buxhetore e përhershme për Skemën e Asistencës Personale, duke rritur pagat për asistentët personalë të personave me aftësi të kufizuar në minimumin e pagës.  

RrGK ka krijuar një video me rekomandimet e dërguara tek ministritë, komunat dhe organizatat buxhetore në lidhje me BPGj. Avokimi i RrGK për rekomandime buxhetore ka ndikuar që mediat t’i kushtojnë vëmendje këtyre rekomandimeve, ku Elirjeta Beka, koordinatore për BPGj, ka qenë e ftuar në Programin e Mëngjesit “Emisioni Sot” në Kohavision për të diskutuar rreth rekomandimeve të RrGK-së mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.  

Më 16 shtator, Forumi Ekonomik i Grave (FEG), pjesë e të cilit është edhe RrGK-ja, organizoi një protestë përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovë. Aty u kërkua përfshirja e Ligjit të Punës në Kalendarin Legjislativ, duke adresuar kështu çështjet e rëndësishme të të drejtave të punëtorëve, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës për gratë dhe burrat në Kosovë. Ky veprim ngriti sërish kërkesën tonë për të drejta më të mira për të punësuarit, veçanërisht për gratë, që shpesh përballen me kushte të vështira pune.   

Pastaj, më 26 shtator FEG ka dërguar një deklaratë tek mediat për të informuar se  Aleanca Kosovare e Bizneseve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF Prizren, Qendra për Politika dhe Avokim dhe shumë të tjerë kanë përkrahur FEG dhe pajtohen që Qeveria ta vendos Ligjin e Punës në Kalendarin Legjislativ urgjentisht, si dhe rëndësinë e lartë në përfshirjen e FEG dhe përfaqësuesve të biznesit në procesin e hartimit ligjit të punës.  

RrGK, së bashku me disa organizata të tjera, mbështeti fuqimisht edhe iniciativën e shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë për përdorimin e termave “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në formularët zyrtarë. Kjo nismë synon të promovojë përfshirjen e barabartë të të dy prindërve në procesin arsimor të fëmijëve dhe të nxisë një bashkëpunim më të fortë prindëror, duke ndarë përgjegjësitë për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.  

RrGK shprehi solidaritet të plotë edhe me punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë në grevë me kërkesën për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave. Nga paga aktuale prej 275 euro, ato kërkojnë një pagë më të dinjitetshme prej 550 euro. Ne theksuam rëndësinë e punës së tyre të vazhdueshme dhe të domosdoshme për funksionimin e Kuvendit. RrGK mbështet kërkesat e tyre legjitime dhe nënvizon nevojën për trajtimin e drejtë të punëtorëve të çdo niveli.  

Ne do të vazhdojmë me avokim dhe veprime edhe në të ardhmen në bazë të Strategjisë sonë!