Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor kërkon që fondet të shpenzohen mes burrave, grave, djemve dhe vajzave të ndryshme në mënyrë që ato të adresojnë nevojat dhe prioritetet e tyre të veçanta. Ligji Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore e bën buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të detyrueshëm për institucionet publike në Kosovë, përfshirë komunat, ministritë dhe organizatat e tjera buxhetore. Sipas këtij ligji, mos zbatimi i praktikave të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor cilësohet si kundërvajtje nga gjykata kompetente si dhe shqiptohen sanksione ndaj këtij mos zbatimi të ligjit. Gjithashtu, edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes Qarkores së Buxhetit kërkon që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të përfshihet si shtojcë në kërkesën për ndarjet buxhetore për vitin 2022. Ne kërkojmë që secila komunë të sigurojë përfshirjen e shtojcës së kërkuar me të dhënat në lidhje me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor kur dorëzoni kërkesat vjetore të buxhetit, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe qarkoret e buxhetit. Sipas praktikave më të mira të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, të cilat përdoren edhe nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), kjo shtojcë përfshin dhe/ose bazohet në: 1) një analizë të nevojave të ndryshme të grave dhe burrave në komunë; 2) si kanë përfituar nga shpenzimet paraprake gratë dhe burrat e ndryshëm dhe çfarëdo nevoje të pa adresuar nga shpenzimet paraprake; dhe 3) objektivat komunale me tregues drejt rritjes së barazisë gjinore përmes shpenzimeve të saj në vitin 2022, duke adresuar çdo pabarazi të identifikuar përmes analizës gjinore.
Pos kësaj, ne kërkojmë të përfshihen Zyrtarët për Barazi Gjinore në komunë dhe organizatat e shoqërisë civile të grave në organizimin e konsultimeve publike rreth buxhetit, ashtu siç obligohet nga Ligji 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe të angazhohen më shumë gra në të gjitha proceset buxhetore. Së bashku me kërkesat për integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në të gjitha fazat e buxhetit, ne kemi disa kërkesa për financim më mirë në disa linja të buxhetit komunal.
Barazia Gjinore
• Të sigurohet që masat e rimëkëmbjes ekonomike të mbështesin burrat dhe gratë sipas nevojave të tyre të ndryshme.
• Të bëhet alokimi i fondeve për trajnime obligative nga IKAP për të gjithë nëpëunësit civil me përgjegjësi relevante lidhur me barazinë gjinore edhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
• Të alokohet buxhet për trajnimin dhe mentorim e zyrtarëve dhe për ngritjen e kapaciteteve të tyre lidhur me integrimin e politikave gjinore në politika publike në nivel lokal.
• Të alokohet buxhet i mjaftueshëm për zyrën për barazi gjinore në mënyrë që të mundësohet përmbushja e aktiviteteve që lidhen me avancimin e barazisë gjinore në komunën e tyre.
• Të alokohet buxhet i mjaftueshëm për për kryerjen e vlerësimit ex ante dhe ex post të ndikimit gjinor për të informuar të gjitha politikat, veprimet, dhe buxhetet sipas Ligjit për Barazinë Gjinore.
Fuqizimi Ekonomik i Grave
• Të aprovohen politika fiskale dhe stimuj që ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve të grave, si dhe në sektorin e bujqësisë. Komuna duhet të analizojë barrierat kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset e grave gjatë dhe pas pandemisë, si dhe të përpilojë politika që do të ndihmonin në tejkalimin e këtyre barrierave. Disa nga politikat janë, por jo të limituara, si: lehtësimi i pagesave për detyrime të pagesave komunale, detyrimeve tatimore, marrja e kredive bankare, si dhe ngritja e përqindjes së shpenzimeve komunale në subvenci
onet për bizneset e grave.
• Të ndërmirren masa speciale dhe të ketë përpjekje të vazhdueshme në kuadër të masave afatmesme për të identifikuar shkeljet e të drejtave nga sektori i ekonomisë jo formale, sidomos, por duke mos u kufizuar në sektorin e bujqësisë (shembull: të rritet numri i inspektorëve apo të ngriten kapacitetet e inspektorëve të tanishëm për zhvillimin e qasjes së përgjegjshme gjinore duke ndjekur parimin “mos i bë dëm askujt” (Eng: Do no Harm approach) përgjatë intervenimeve për të luftuar ekonominë jo formale), duke i adresuar nevojat e grave të cilat përbëjnë pjesën dërmuese të këtij sektori.
Adresimi i dhunës me bazë gjinore
• Të ndahen burime të mjaftueshme, bazuar në analizën gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, për zbatimin e plotë të përgjegjësive komunale në lidhje me adresimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, sidomos për sa i përket rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri (deri më tani nuk ka pasur burime të mjaftueshme, ashtu siç tregojnë të gjeturat nga hulumtimi i RrGK-së “Nga Fjalët në Vepra”). Si shembull, të alokohet buxhet i mjaftueshëm për më shumë nëpunës për shërbime sociale dhe të zbatohet plani për menaxhimin e rasteve në lidhje me rehabilitim.
• Të sigurohen ambiente/ndërtesa për strehimore në komunat ku ato nuk janë të disponueshme, si dhe të sigurohet strehim social për personat që kanë pësuar dhunë me bazë gjinore për të jetuar në mënyrë të pavarur.
• Të merret parasysh ofrimi i trajnimeve themelore dhe shumë-sektorial për zyrtarët qeveritarë që punojnë brenda komunave për barazinë gjinore, dhunën me bazë gjinore, referimet dhe detyrimet komunale për buxhetin dhe ofrimin e këtyre shërbimeve.
Edukim cilësor i barabartë
• Të alokohen fonde për rritjen e numrit të qendrave të kujdesit për fëmijë dhe qendrave para-shkollore në proporcion me numrin e fëmijëve në nevojë në nivel lokal. Kjo gjithashtu do të rrisë performancën arsimore të fëmijëve, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do t’u mundësojë më shumë grave të hynë në fuqinë punëtore, siç tregohet në hulumtimin e RrGK.
• Të parashihet nga buxheti i Drejtorisë së Arsimit në nivel lokal që mësuesit/et e niveleve të Arsimit të Mesëm të Ulët dhe atij të Mesëm të Lartë të trajnohen për dhe mbi ligjërimin e ndjeshëm gjinor me qëllim të zvogëlimit të pabarazive gjinore, të transformojnë rolet gjinore dhe normat ekzistuese gjinore mbi marrëdhëniet e pushtetit.
Kujdesi Shëndetësor
• Të sigurohet buxhet i mjaftueshëm për ofrimin e shërbimeve për shëndetin reproduktiv në të gjitha komunat.