Rezolutë jovendimtare? Pas 24 vjetësh, Rezoluta 1325 mbetet e vlefshme, por me zbatim të kufizuar 

Sot shënohet 24-vjetori i Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSCR) mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS). Që atëherë, disa rezoluta “motra” janë miratuar për të plotësuar këtë Rezolutë, shpesh të referuara si “Agjenda GPS”. Shtetet dhe aktorë të tjerë si agjencitë e OKB-së, Bashkimi Evropian (BE), dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kanë miratuar plane veprimi për zbatimin e saj. Burimet janë shpërndarë. Dhe, një numër i madh aktivitetesh janë ndërmarrë për të përmbushur katër shtyllat e Rezolutës: I) Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në situata konflikti dhe pas konfliktit, përfshirë proceset e ndërtimit të paqes dhe negociatat; II) Mbrojtja e grave dhe vajzave të ndryshme të prekura nga konflikti; III) Parandalimi i konfliktit dhe dhunës seksuale; dhe IV) Lehtësimi dhe Rimëkëmbja, duke siguruar që nevojat e grave dhe vajzave të ndryshme të përmbushen në situata konflikti dhe pas konfliktit. 

Sidoqoftë, ndërkohë që konfliktet po vazhdojnë dhe madje edhe po përhapen në mbarë botën, ndërsa vendet po vazhdojnë të ndërtojnë dhe të furnizojnë armë për të mbështetur konfliktet; 

Ndërkohë që rreth 117 milionë gra, vajza, djem dhe burra vazhdojnë të zhvendosen nga shtëpitë e tyre; 

Ndërkohë që dhuna seksuale vazhdon të përdoret si armë lufte nga grupe militante, si dhe nga ata që ndodhen në pushtet, të cilët supozohet të ofrojnë ndihmë humanitare; 

Ndërkohë që mosndëshkimi për dhunën seksuale të lidhur me konfliktet vazhdon; 

Ndërkohë që gratë mbeten të nënpërfaqësuara në vendimmarrje në të gjitha nivelet, përfshirë proceset e paqes; 

Çdo ditë, por sidomos sot, reflektojmë për progresin e bërë dhe për mangësitë e mëdha të qeverive dhe aktorëve të tjerë në përmbushjen e angazhimeve të tyre ndaj Rezolutës 1325 dhe Agjendës GPS. 

Pavarësisht përparimeve në disa fusha, ne shohim që ka dështime nga përvoja jonë në Kosovë, ku ndër to janë: 

  1. Pjesëmarrja: gratë kanë qenë të përfaqësuara vazhdimisht në numër të ulët në proceset e vendimmarrjes që lidhen me procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe me negociatat me Serbinë, pavarësisht angazhimeve të qeverisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për zbatimin e Rezolutës 1325; 
  1. Mbrojtja: ndonëse ka pasur përparim në ofrimin e mbështetjes financiare për të mbijetuarit, OKB, BE dhe qeveritë kanë dështuar të sjellin drejtësi për shumicën dërrmuese të të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale, për të mos përmendur kompensimet nga autorët e këtij krimi të tmerrshëm; 
  1. Parandalimi: pavarësisht se Forcat e NATO-s, janë akoma të pranishme në Kosovë, dhe si Kosova ashtu edhe Serbia kanë bërë angazhime për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, mungesa e vazhdueshme e zgjidhjes për statusin politik të Kosovës kontribuon në frikën për një mundësi të rifillimit të konfliktit, për njerëzit e të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë; përpjekje të pamjaftueshme janë ndërmarrë nga të dy qeveritë dhe BE-ja për të parandaluar konflikte të mëtejshme; dhe asnjë analizë e njohur e konfliktit që merr parasysh gjininë nuk është kryer për të identifikuar faktorët kryesorë që kontribuojnë në konflikt, në mënyrë që të mund të merren masa të bazuara në prova për të parandaluar konfliktin; 
  1. Lehtësimi dhe Rimëkëmbja: ndonëse ka pasur përmirësime, kryesisht falë angazhimit të organizatave të të drejtave të grave në integrimin e perspektivës gjinore në politikat dhe programet e qeverisë dhe donatorëve, ende mund të ndërmerren përpjekje të tjera për të siguruar që gratë dhe vajzat në gjithë diversitetin e tyre të përfitojnë nga përpjekjet e lehtësimit dhe rimëkëmbjes.  

Për 24 vjet, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka monitoruar zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë.  

Rekomandimet kyçe nga publikimet tona më të fundit, Fakte dhe Fabula 1325 (2022) dhe Një ulëse në tryezë (2021), përfshijnë nevojën që qeveritë, BE-ja dhe palët e tjera të interesit të:  

– Rrisin angazhimin e grave nga grupet e ndryshme në proceset e vendimmarrjes dhe ndërtimit të paqes, përfshirë ato që lidhen me dialogun e Kosovës me Serbinë (në diplomacinë e nivelit 1 dhe 2) në përputhje me Ligjin për Barazinë Gjinore; si lehtësuese e dialogut, BE-ja ka një rol kyç në sigurimin që gratë e nga grupe të ndryshme të angazhohen në mënyrë domethënëse. 

– Forcojnë angazhimet institucionale për të zbatuar plotësisht Rezolutën 1325 dhe Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë përmes objektivave, indikatorëve dhe qëllimeve të qarta në strategjitë dhe planet e veprimit që do të vijnë. 

– Sigurojnë që politikat për barazinë gjinore të kenë burime adekuate për zbatim. 

– Fokusohen në sigurinë njerëzore, duke investuar më shumë në edukim cilësor, shëndetësi, fuqizimin ekonomik të grave dhe sigurinë e grave në shtëpi, rrugë dhe në institucione. Ruajtja e mirëqenies së grave dhe burrave, mund të rrisë sigurinë dhe të kontribuojë në parandalimin e konflikteve. 

Për më shumë detaje, shihni librin e RrGK-së, Fakte dhe Fabula 1325, i cili përshkruan sfidat, sukseset dhe fitoret e aktivistëve që avokojnë për zbatimin e Rezolutës 1325 nga OKB-ja, BE-ja, NATO dhe institucionet e Kosovës. Shpresojmë që të tjerët mund të mësojnë nga përvoja jonë në avokimin për të drejtat që lidhen me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.