Rivendosja e fotove të të pagjeturve

Me 8 Mars 2014, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me iniciativën e shoqatës “Thirrjet e Nënave” RrGGK organizon protestë në përkrahje të nënave, grave dhe motrave e bijave të të pagjeturve, me moton: Jemi me ju.
    Para një viti, fotografitë e të pagjeturve u hoqën nga rrethojat e Kuvendit të Kosovës me premtimin se do punohet obelisku për të pagjeturit. Ai premtim nuk u realizua.
“Plot 15 vjet po na mashtrojnë e neglizhojnë përderisa kriminelët po sillen të lirë dhe ata pak kriminelë që janë dënuar po ju ulen dënimet. Mungon drejtësia për mijëra të vrarë, të dhunuar dhe të zhdukur. Do kthejmë fotografitë aty ku ishin se çështja për të pagjeturit nuk është zgjidhë akoma”, shprehet Nesrete Kumnova, udhëheqëse e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”.
    RrGGK dhe shoqata “Thirrjet e Nënave” fton qytetarët që me 8 Mars 2014 të bashkangjiten në Sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 11:30, prej nga në orën 12:00 do të fillojë marshimi drejt Kuvendit të Kosovës, ku do të rivendosen fotografitë e të pagjeturve në rrethojat e Kuvendit.