RrGGK avokon për lëvizje më të lehtë të qytetarëve në rrugë

     Me 25 maj 2017, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mori pjesë në punëtorinë e parë të organizuar nga Komuna e Prishtinës “Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për Prishtinën”.
     Gjatë diskutimit për problemet e qytetarëve, RrGGK kërkoi që të ndërmirren hapa lidhur me problemet kyçe me të cilat ballafaqohen gratë, si: të lirohen trotuaret nga veturat në mënyrë që të ketë hapësirë të mjaftueshme për lëvizjen e grave/nënave me karroca të fëmijëve, të rregullohen rrugët në mënyrë që të plotësohen nevojat e personave me aftësi të kufizuara, duke përfshirë edhe vendosjen e shenjave sinjalizuese për personat e verbër.
     Për të kontribuar në procesin e hartimit të këtij Plani për rregullimin e rrugëve për nevojat e qytetarëve, në punëtori morën pjesë gra dhe burra, përfaqësues të kompanive të trafikut urban, profesorë të Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të organizatave të profileve të ndryshme, persona me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuese të RrGGK.
     Për të ndihmuar në mbledhjen e informatave për hartimin e Planit, ju lutemi të plotësoni online anketën vijuese: www.surveymonkey.com/r/Pristina_Travel