Të mërkurën, më 27 mars 2013 rreth orës 20:35 aktivisten për të drejtat e grave, Nazlie Bala e kanë sulmuar fizikisht në hyrjen e banesës së saj, duke e pasuar sulmin me kërcënimin ‘dije se kemi me të vra..’.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dënon ashpër këtë sulm, andaj kërkon një investigim dhe mbrojtje të menjëhershme nga Policia e Kosovës për Nazlie Bala.
Ky sulm ishte vazhdimësi e kërcënimit me jetë që morri Nazlie Bala më 20 mars 2013, ku thuhej se nëse mbron ‘turpin’ e pret plumbi. Kërcënimet dhe sulmi i Nazlie Balës është si pasojë e prezantimit të saj në emisionin ‘Kërkim’ në RTK ku Bala ka paraqitur fakte, dëshmi dhe informata tjetra lidhur me përdhunimet gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sulmi ndaj Nazlie Balës, aktiviste për të drejtat e grave, nuk është vetëm sulm ndaj saj, por sulm ndaj përpjekjeve tona për të mbrojtur dinjitetin e grave të mbijetuara të përdhunuara gjatë luftës.
Ne duam të informojmë sulmuesit se kërcënime të tilla me anë të dhunës nuk do të ndalin përpjekjet tona për të vënë drejtësinë në vend, dhe për të rikthyer dinjitetit e grave të mbijetuara të dhunës gjatë luftës.
Të gjitha jemi Nazlie Bala!