Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGGK moderon prezantimin e të dhënave fillestare të hulumtimit të RrGGK dhe AH: “Ku Janë Paratë për të Drejtat e Grave?”

RrGGK dhe AH Prezantojnë të Dhënat Fillestare të Hulumtimit: “Ku Janë Paratë për të Drejtat e Grave?”

Me 2 Shtator, RrGGK dhe Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë (AH) prezentuan të dhënat fillestare të hulumtimit: “Ku janë Paratë për të Drejtat e Grave?”

Hulumtimi përfshinë një anketim të zhvilluar me mbi 90 organizata të grave dhe intervista me mbi 35 donatorë. Rekomandimet e nxjerra përpiqen të përmirësojnë efikasitetin dhe efektivitetin në financimet që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe organizimin për të drejtat e grave në Kosovë, duke përfshirë rekomandime për “shtetin, donatorët dhe organizatat e grave”. Rreth 90 pjesëmarrës morrën pjesë në takim, përfshirë anëtare të RrGGK, anëtare të bordit, donatorë dhe përkrahës të tjerë të RrGGK. “Ju keni bërë një punë të shkëlqyer për një periudhë kaq të shkurtë me fonde minimale”, tha Advije Gashi nga Shoqata e Avokatëve “Norma”.
Gjetjet fillestare të anketimit tregojnë një rënie të dukshme të fondeve që ofrohen për OJQ-të e grave në mes të viteve 2000 dhe 2013, me një rritje të vogël në vitin 2011.  Të dhënat tjera kyçe përfshijnë:
o Me përjashtim të disa organizatave me bazë në Prishtinë, shumica e organizatave të grave kanë hasur në vështirësi për sigurimin e resurseve të mjaftueshme për çështjet e tyre, grupet e synuara dhe strategjitë.
o Vetëm një numër i vogël i organizatave të grave marrin të ardhura nga individët, asetet, pagesat e anëtarësisë ose nga aktivitetet që sjellin të hyra, që nënkupton varësi të madhe nga fondet ndërkombëtare dhe diversifikim të pamjaftueshëm burimesh.
o Resurset e pamjaftueshme kanë shtyrë shumicën e organizatave të reduktojnë stafin, të zvogëlojnë aktivitetet ose të punojnë në mënyrë vullnetare për periudha të gjata kohore. Më shumë se një e treta e organizatave të grave kanë qenë në rrezik që të mbyllin zyrat e tyre, ndërsa disa prej tyre i kanë mbyllur ato kohë pas kohe, shpesh me pasoja të rënda për grupet e margjinalizuara, siç janë personat që kanë pësuar nga dhuna në bazë gjinore.
o Prej donatorëve që kanë marrë pjesë në hulumtim, vetëm pesë kishin financuar organizatat e grave. Disa prej tyre kanë ofruar fonde përmes aplikimeve të rregullta (p.sh., për grante ose kontrata), për të cilat organizatat e grave garojnë me organizata ose biznese të tjera. Donatorët janë të prirë të ofrojnë fonde afatshkurtra, të bazuar në projekte.
o Shumica e organizatave të grave nuk kanë marrë kurrë fonde institucionale.
Pas prezantimit, pjesëmarrësit ofruan komente lidhur me gjetjet fillestare dhe rekomandimet e hulumtimit. Gjithashtu, nëpërmjet ofrimit të gjetjeve filestare, RrGGK dhe AH janë munduar të inkurajojnë organizatat e grave dhe donatorët të japin informacione shtesë, me qëllim që të ofrohet një pasqyrë më e kompletuar e fondeve që janë dhënë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave gjatë viteve 2000 dhe 2010 në Kosovë. RrGGK dhe AH do t’i përfshijnë të gjitha informatat e tyre në raportin final, të cilin do ta prezantojnë publikisht në Nëntor.
“Mendoj që ky është një raport shumë i dobishëm i cili po publikohet në një moment strategjik” tha Lina Andeer, përfaqësuese e Kvinna till Kvinna. “Më bën të reflektoj për organziatën time. Ne momentalisht jemi në proces të planifikimit strategjik dhe unë definitvisht mund ta përdor këtë raport për diskutimet tona të brendshme. Ajo çka unë shpresoj që do të zhvillohet pas publikimit të këtij raporti është një diskutim i thellë mbi hapat që duhet të marrim sa i përket trendeve negative me të cilat po ballafaqohemi […] të identifikojmë se si shoqëria civile dhe donatorët do të mund të bashkëpunojnë për të ndryshuar këtë trend negativ.”

Hulumtimi është përkrahur nga Association for Women’s Rights in Development (AWID), me kontribut substancial edhe të RrGGK dhe AH.