Anëtaret e RrGGK-së kanë mësuar për mundësitë e reja për grante përmes Fondit të Grave të Kosovës gjatë një seance informative, e cila u zhvillua më datën 13 maj. Në raundin e hapur së fundmi për grante, anëtaret e RrGGK-së mund të aplikojnë, ose si organizata të veçanta, ose duke qenë partnere me një organizatë tjetër. Anëtaret mund të aplikojnë për grantin e ri Rrjetëzimi për Ndryshim (Networking for Change), përmes të cilit dy organizata mund të marrin deri në 8,000 Euro për iniciativa të përbashkëta në avokim.
Megjithëse anëtaret e RrGGK-së janë mjaft të angazhuara në punën e tyre, shumë prej tyre iu mungojnë burimet e mjaftueshme financiare për realizimin e iniciativave. Në të njëjtën kohë, disa organizata kanë qëllime dhe/ose ekspertizë të përbashkët të cilat mund t’i ndajnë. Këto fonde iu ofrojnë organizatave mundësinë për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën në drejtim të realizimit të ndryshimeve më të mëdha. Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data 30 maj. RrGGK-ja mbetet në gatishmëri për t’i mbështetur anëtaret për çdo pyetje apo shqetësim që ato mund të kenë. Ne presim me padurim të shohim se çfarë planifikojnë të ndërmarrin së bashku anëtaret e iniciativave për avokim. Këto grante janë mundësuar përmes mbështetjes nga Agjencia Austriake për Zhvillim. RrGGK-ja parashikon dhënien e granteve me vlerë totale rreth 40,000 Euro.