RrGGK reagon kundër Projektligjit për Amnistinë dhe u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mos votojnë këtë Projektligj sepse me këtë Projektligj po tentohet të amnistohen një numër marramendës i veprave kriminale. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duke u fshehur pas Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç, më anë të këtij ligji poashtu po falin një sërë të veprave kriminale duke e rrezikuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Në këtë ligj amnistohen në mes tjerash edhe veprat kriminale të cilat shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut si p.sh lëndimet e lehta trupore që në shumicën e rasteve të përndjekura ose të dënuara lidhen me rastet e dhunës në familje, uzurpimi i pronave si dhe një numër i veprave penale që janë kryer për përfitime individuale.
Mënyra urgjente e procedimit për votim të këtij ligji nga ana e Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, dekurajon qytetarët e Kosovës të jenë aktiv për të mirën e vendit të vet. Poashtu përmbajtja e këtij projektligji amniston krimin dhe godet më së rëndi qytetarët e shumtë të Kosovës që për këto dekadat e fundit kanë punuar me mund dhe nder për ndërtimin e një Kosove funksionale dhe ligjore.
Prandaj RrGGK kërkon nga Kuvendi i Kosovës të mos e voton ligjin dhe ta kthen në rishqyrtim për të përpunuar një ligj me qëllime humanitare e jo kriminele.