RrGGK merr pjesë në Takimin e Organizuar nga MFSK

 Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të grave, 8 Marsit, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, organizuan në ambientet e Kazermës “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), një takim me të gjitha gratë që shërbejnë në Ministri dhe FSK, ushtarake dhe shërbyese civile.

     Në këtë takim morën pjesë, ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Kadri Kastrati, Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina, zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, Sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, Drejtoresha Egzekutive e RrGGK-së Igballe Rogova, si edhe deputetja Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrje të FSK-së.
Femrat që punojnë në Ministri dhe Forcë janë shumë aktive, të devotshme dhe vazhdimisht kanë dhënë rezultate në punë dhe shërbim,” tha Ministri Çeku.
     Komandanti i FSK gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati mbështeti fuqishëm angazhimin e grave, duke deklaruar: "Ndihem krenar që jam Komandanti i Forcës që me sukses i shërben meshkujt dhe femrat pa dallim."
Gjeneral major Salvatore Farina, komandanti i KFOR-it në Kosovë, foli për rolin e femrave në Forcat e Armatosura si dhe u shpreh se ndjehet i entuziazmuar me zhvillimet që i ka bërë FSK-ja duke arritur të rekrutoj dhe trajtoj me dinjitet një numër të mirë të femrave, duke e ditur që edhe në vendet e NATO-s, rekrutimi ka filluar jo shumë vite me parë, duke përmendur shembullin e Italisë, e cila ka filluar angazhimin e femrave në ushtri që nga viti 2000. Ai me kë të rast përgëzoi ministrin Çeku dhe gjeneral Kastratin për kujdesin e treguar ndaj çështjes gjinore.
Rogova prezantoi një histori të përfshirjes së grave në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë.