Një nga zhvillimet më të rëndësishme për ne si rrjet gjatë vitit 2006 ishte se ne u bëmë rrjeti i parë i organizatave joqeveritare në Kosovë që miratoi kodin e mirësjelljes. Anëtaret tona dinë se transparenca dhe përgjegjësia janë cilësi të cilat organizatat joqeveritare dhe jofitimprurëse duhet të kenë në mënyrë që t’i demonstrojnë qytetarëve, partnerëve dhe donatorëve se ato funksionojnë në shërbim të publikut.
Për këtë arsye, tetëdhjetë organizatat tona u këshilluan gjatë procesit të hartimit dhe pas hartimit nënshkruan Kodin e Etikës dhe
Përgjegjësive të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, duke pranuar kështu që të përmbushin standardet më të larta të transparencës dhe përgjegjësisë deri në dhjetor të vitit 2008.
Kodi përmban gjashtë parime themelore: Misioni dhe Programi, Qeverisja e Mirë, Transparenca dhe Përgjegjësia Financiare, Përgjegjësia Civile, dhe Partneriteti dhe Rrjetëzimi.
Gjatë viteve 2007 dhe 2008, Rrjeti i Grupeve të Grave do tu ofrojë organizatave anëtare ndihmë individuale dhe grupore me qëllim të lehtësimit të implementimit të kodit. Rrjedhimisht, kodi do t’i ndihmojë anëtareve në ngritjen e kapaciteteve të tyre si organizata dhe realizimit të një të ardhme më të qëndrueshme. Përmbushja e parimeve të kodit do t’i bëjë këto organizata më të fuqishme në mënyrë që ato të mund të sigurojnë besimin e publikut dhe të përmirësojnë funksionimin e tyre në të ardhmen. Duke fuqizuar anëtaret tona, ne do të fitojmë energji si rrjet. Përveç kësaj, duke përcaktuar standarde të qarta për anëtaret tona, ne po krijojmë një shembull për organizatat tjera joqeveritare dhe gjithashtu mund të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi dhe transparencë nga autoritetet qeverisëse të Kosovës.