Gjatë kësaj vere, zyra e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) ka mirëpritur një ekip prej katër studentesh nga Kolegji “Dartmouth” për të analizuar rezultatet e hulumtimit mbi qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, si dhe për të shkruar një raport të politikave lidhur me këtë hulumtim. Sikurse edhe e kanë mësuar që të katërat gjatë verës, Megan Mishra, Kristen Delëiche, Morgan Sandhu, dhe Apoorva Dixit janë persona shumë të ndryshëm. Ato ndjekin studimet në Kolegjin “Dartmouth” në veri të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara, por studiojnë në fusha të ndryshme: Apoorva studion antropologji, Megani studion ekonomi dhe filozofi, Morgani studion për qeverisje, ndërsa Kristeni studion mjekësi. Ato kanë personalitete dhe stile të ndryshme të punës. Aproorva është mendjehapur e cila zgjidh problemet me qetësi, Megani është planifikuese dhe detajiste, Morgani është negociatore që orientohet drejt qëllimeve, ndërsa Kristeni është një statisticiene që merret ka fokus të ushqyerit e shëndetshëm. Pasi kanë jetuar, punuar dhe udhëtuar së bashku, është e vështirë të mos mësojnë për të gjitha këto ndryshime që kanë. “Pavarësisht gjithë kohës që kalojmë bashkë, ose ndoshta për shkak të kësaj, ne jemi ekip i mirë”, tha Apoorva. “Jemi të gjitha këtu sepse politika botërore e shëndetësisë është aktualisht një fushë emocionuese në vetvete, në veçanti në një shtet të ri siç është Kosova.”
Ato mendojnë se në Kosovë ka shumë më tepër potencial dhe se janë të ngazëllyera që punojnë krah për krah me gratë në RrGGK dhe shumë kosovarë të tjerë, të cilët i kanë takuar këtë verë dhe të cilët janë duke u përpjekur që ta bëjnë sistemin e kujdesit shëndetësor më efikas, më të përqendruar te pacientët dhe më të barabartë. Për to, ka qenë përvojë e jashtëzakonshme të mësonin çdo gjë, nga statistikat dhe kujdesi shëndetësor e deri te ushqimi tradicional i vendit. Kanë pasur mundësi të bëjnë ekskursione duke ecur në këmbë, të bëjnë udhëtime dhe të notojnë; sipas tyre ky vend është një prej pjesëve më të bukura të botës dhe, ndonëse ka pasur shumë sfida dhe ditë të gjata pune, për to kjo ka qenë një përvojë prej së cilës kanë përfituar shumë.
Ndërsa punës së tyre praktike po i vjen fundi, ato janë shumë të gëzuara të ndajnë gjetjet dhe të shohin se si do të ndikojë puna dhe angazhimi i tyre i madh me RrGGK-në në sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përmes raportit përfundimtar.