Sot, më 12 mars 2021, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) si dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të grave në Kosovë. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022 dhe kësisoj në përparimin drejt përmbushjes së vizionit të RrGK-së për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.
Në përputhje me Strategjinë e RrGK-së, kjo nismë katër-vjeçare (2021-2025) në vlerë totale prej 783,333€, me kontribut nga ADA (700,000€), Sida (78,333€) dhe RrGK (5,000€) ka për qëllim të fuqizojë lëvizjen feministe në Kosovë, rajon dhe më gjerë; të përmirësojë qasjen e grave në kujdesin shëndetësor; të përmirësojë reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore; dhe të përmirësojë qasjen në arsimin sfidues ndaj normave gjinore ekzistuese gjinore si dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Nga kjo shumë, të paktën 200,000€ do të ndahen përmes Fondit të Grave të Kosovës, dhe më shumë se 302,000€ do të përfitojnë direkt anëtaret e RrGK-së edhe për angazhimin e tyre në realizimin e qëllimeve të përbashkëta strategjike të Rrjetit. Sipas politikave të Fondit, të vendosura nga anëtaret e RrGK-së, organizatat që nuk kanë qasje në burime të tjera dhe që punojnë me persona me aftësi të kufizuara, komunitetet rurale, gratë dhe të rinjtë e pakicave do të prioritizohen në marrjen e fondeve.
“Barazia gjinore dhe qëndrueshmëria shoqërore janë jetike për arritjen e zhvillimit, si dhe përfshihen vazhdimisht në programet dhe nismat e mbështetura nga ADA”, u shpreh Sandra Horina, Udhëheqëse e Zyrës, Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim për Kosovë.
“Përmes mbështetjes sonë, ne do të dëshironim të forcojmë pozitën e grave në mënyrë që burrat dhe gratë të kenë mundësi më të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.”
Kjo nismë mbështetet mbi themelin e bashkëpunimit dhjetëvjeçar të RrGK-së me ADA, bashkëpunim i cili ka çuar në disa ndryshime thelbësore drejt arritjes së barazisë gjinore, përfshirë përmirësimin e kornizës ligjore dhe reagimit institucional në adresimin e dhunës me bazë gjinore; rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje në të gjitha nivelet; përmirësimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor; disa nisma drejt barazisë gjinore në nivelin lokal; si dhe përmirësimin në përfshirjen e perspektivës gjinore në programet e partnerëve të ADA-s në të gjithë sektorët. RrGK ka kënaqësinë t’ vazhdojë këto përpjekje dhe këtë partneritet me ADA.
Po ashtu, RrGK me kënaqësi ka nënshkruar kontratë direkt me Sidën për herë të parë që nga viti 2003. Ndonëse Sida ka qenë ndër mbështetësit kryesor të punës së RrGK-së, ndër të tjerash, përmes Fondacionit Kvinna till Kvinna, megjithatë RrGK shpreh kënaqësinë që do të forcojë këtë bashkëpunim.
“Bashkëpunimi me RrGK-në është shumë i rëndësishëm për Sidën dhe zhvillimin e punës që ne e bëjmë për barazi gjinore,” tha Nasrin Pourghazian, Udhëheqëse për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën e Suedisë.
“Qeveria suedeze mbetet e përkushtuar për rritjen e barazisë, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen politike të grave dhe fuqizimi ekonomik, rritjen e qasjes dhe respektimin e shëndetit seksual dhe atij riprodhues, si dhe për luftimin dhe zvogëlimin e dhunës ndaj grave, vajzave dhe djemve. [Barazia gjinore] është një qëllim jetik i cili kontribuon në zhvillime pozitive në shoqëri, në mënyrë demokratike, ekonomike dhe duke respektuar ambientin”, tha ajo.
“Ne do të jemi në gjendje të arrijmë barazinë gjinore vetëm kur të arrijmë te njerëzit, tek të cilët Fondi i Grave të Kosovës synon të arrijë”, theksoi tutje Nasrin.
Një e veçantë e kësaj marrëveshjeje është se ADA dhe Sida janë pajtuar që t’i harmonizojnë procedurat e tyre të raportimit. Ky shembull i praktikës së dobishme është inkurajuar në raportin e fundit të RrGK-së dhe Fondacionit Kvinna till Kvinna Ku janë paratë për të drejtat e grave?. Kjo gjë do t’i kursejë kohë RrGK-së në punët administrative dhe në raportim, duke u mundësuar kështu aktivistëve që në mënyrë më efikase të përqendrojnë energjitë e tyre më shumë në punën drejt avancimit të të drejtave të grave.
“Jemi duke parë përkushtim të shtuar nga donatorët e mëdhenj si ADA dhe Sida, të përkrahur nga qeveria austriake dhe ajo suedeze, në mbështetjen e nevojave reale të organizatave për të drejtat e grave dhe lëvizjeve feministe”, tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së.
“Jemi shumë të lumtur për përkrahjen e tyre afatgjatë; përkrahja e RrGK-së do të thotë përkrahje e të drejtave dhe mirëqenies së grave”, ka shtuar ajo.
Falë kësaj mbështetjeje të rëndësishme, RrGK së bashku me 158 organizatat e saj anëtare dhe partnerët, përfshirë institucionet kyçe si Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, dhe aleatët ndërkombëtarë, do të vazhdojë punën drejt përmbushjes së misionit të saj për të mbështetur, mbrojtur dhe promovuar të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe fetare, moshës, nivelit të arsimit, orientimit seksual apo aftësive të tyre.