Brenda disa ditëve, Rrjeti i Grave të Kosovës ka zhvilluar dy takime me studentë nga Holanda dhe nga SHBA për t’i informuar ata në lidhje me punën prej më shumë se dy dekada të RrGK-së.
Në të dy takimet, Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, RrGK, i ka njoftuar dhjetëra studentë nga Kolegji Universitar i Amsterdamit dhe disa studente nga SHBA që studiojnë të drejtën humanitare në Kopenhagë, për historinë e lëvizjes për të drejtat e grave duke filluar që nga fillet e aktivizmit të grave si dhe historikun e RrGK-së që nga themelimi i saj si një rrjet jo formal në vitin 1996.
Tutje, Berisha i njoftoi pjesëmarrësit se Rrjeti harton strategjinë katërvjeçare së bashku më organizatat anëtare dhe bazuar në të edhe i zbaton programet në praktikë. Në këtë periudhë, RrGK ka 4 programe, për të cilat ajo i njoftoi pjesëmarrësit e të cilat janë:
- Përmirësimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit;
- Jeta pa dhunë me bazë gjinore;
- Fuqizimi ekonomik i grave dhe
- Edukimi që transformon normat gjinore.
Berisha njoftoi studentët për avokimet e vazhdueshme të RrGK dhe organizatave anëtare të saj në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror për të nxitur ndryshimet që avancojnë barazinë gjinore në Kosovë dhe mbrojnë dhe përmirësojnë të drejtat e vajzave dhe grave, pa dallim etnie, orientimi seksual, aftësie, religjioni etj.
Studentët u shprehën të impresionuar me punën e RrGK-së, e cila pashmangshëm është shndërruar në adresën kryesore ku vajzat e gratë kërkojnë ndihmë në rastet kur u shkelen të drejtat e tyre, qoftë kjo për të ndalur dhunën në baza gjinore, diskriminimin në punë, apo fushat të tjera.
Organizimi i takimeve të tilla duke shkëmbyer njohuri të vlefshme, RrGK kontribuon në nxitjen e një kuptimi më të thellë të dhunës me bazë gjinore dhe rëndësisë së të drejtave të grave në mesin e grupeve të ndryshme të studentëve që vazhdimisht vizitojnë RrGK-në.