RrGK avokon në takime me Ministrat e rinjë

Me 12 tetor, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, priti në takim Drejtoren Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogovën dhe Drejtoren Ekzekutive të Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezin.
       Rogova dhe Elezi shpalosën para Ministrit Ismaili shqetësimet e ngritura në mbledhjen e fundit të Lobit të Grave për Barazi Gjinore dhe Kuvendit të Anëtareve të RrGK-së, përfshirë: 1. Mbyllja e materniteteve nëpër Komuna dhe ndikimi negativ në qasjen e grave në kujdes shëndetësor; 2. Rëndësia e mamisë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në maternitete dhe përcaktimi i përshkrimit të punës së mamisë; dhe 3. Afërsia e komunitetit me ofruesit e shërbimeve shëndetësorë përmes decentralizimit.
Ministri Ismaili shprehu gatishmëri në punën për përmbushjen e këtyre kërkesave. Ai premtoi angazhim maksimal në mënyrë që gjithë qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet shërbim cilësor shëndetësor.
Takimi u përmbyll me kërkesën e Ministrit Ismaili për një takim të rradhës më një grup më të madh të grave që punojnë në mbrojtjen, promovimin dhe përkrahjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, me theks të veçantë në çështjet që prekin qasjen e grave dhe vajzave në sistem shëndetësor.
       Ndërkaq, me 19 tetor, Drejtorja Ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova dhe Menaxherja e Programit dhe Udhëheqësja e Hulumtimeve Nicole Farnsworth u takuan me Ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për të prezantuar të gjeturat kryesore nga raporti i fundit: Buxhetimi për bujqësi dhe zhvillim rural më të mirë. 
Ministri tha se, “dëshiron të mbështesë fuqimisht këtë nismë dhe të gjejë mënyra për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e barazisë gjinore në Ministri”.
       Sekretari i Përgjithshëm u shpreh se do të ftojë RrGK-në të marrë pjesë në procesin e hartimit të programit të ri të Ministrisë dhe se Ministria do të vazhdojë të ndajë informatat me anëtaret e RrGK-së lidhur me mundësitë e granteve dhe subvencioneve.
Përfaqësueset e RrGK-së  përgëzuan ministrin Rikalo për detyrën e re dhe e falënderuan për gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit me këtë shoqatë. MBPZHR-ja dhe Rrjeti i Grave kanë bashkëpunuar ngushtë për zbatimin e analizës gjinore me qëllim të promovimit të barazisë gjinore nëpërmjet punës  së ministrisë.