Rrjeti i Grave të Kosovës edhe këtë vit, së bashku me organizatat anëtare kanë dërguar rekomandime për Raportin e Komisionit Evropian 2023.
Rekomandimet kryesore mes tjerash, përfshijnë edhe kërkesën për harmonizimin e Ligjit të Punës me Direktivën e BE-së për Harmonizim të Jetës dhe Punës, trajtimin e dhunës me bazë gjinore si një çështje e sundimit të ligjit dhe harmonizimin e kornizës ligjore me Konventën e Stambollit.
Po ashtu është kërkuar harmonizimi i kornizës ligjore në Kosovë me Ligjin për Barazi Gjinore, përfshirë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Zgjedhjet Lokale.
Për shkak të problemeve të vazhdueshme me financim, organizatat kanë kërkuar përfshirjen e financimit të qëndrueshëm për qendrat për punë sociale, strehimoret dhe zbatimin e Strategjisë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Integrimi i perspektivës gjinore në raportimin dhe adresimin e çështjeve që ndërlidhen me mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara është po ashtu një prej rekomandimeve, si dhe përforcimi i gjuhës në lidhje me zotimet që kërkohen për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.
Organizatat që morën pjesë në hartimin e rekomandimeve, njëherësh anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës janë: Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra e Partnerëve për Menaxhimin e Konflikteve – Partners Kosova, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) dhe Shoqata e Grave në Mitrovicë për të Drejtat e Njeriut (MWAHR).
Rekomandimet për Raportin e Komisionit Evropian janë një mjet i rëndësishëm për shoqërinë civile dhe organizatat e grave në Kosovë për të ndikuar në proceset e vendimmarrjes dhe në përmirësimin e kushteve jetësore në vend.
Nëse rekomandimet përfshihen në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën atëherë mund të nxiten ndryshimet dhe reforma në ligjet dhe politikat në Kosovë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve të saj.