RrGK bën thirrje për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 19 mars përmes një kumtesë për media ka shprehur shqetësim në lidhje me deklaratat e bëra nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) për kompensimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

RrGK ka bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme publike për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Është manipuluar me numrin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Pa asnjë dëshmi apo listë të mbështetur në fakte është spekuluar me listën prej 20,000 viktimave të dhunës seksuale e që është keqpërdorur dhe po keqpërdoret edhe nga politika ashtu edhe nga sektori joqeveritar”, është deklarata e KMDLNJ-së, të cilën RrGK e dënon fuqishëm me argumentet e mëposhtme.

Së pari, në këtë deklaratë, KMDLNJ kundërshton vetveten; thuhet se nuk ka listë dhe pastaj sugjeron menjëherë se ekziston një listë. Nuk ka asnjë listë dhe nuk mund të ketë asnjë listë, duke pasur parasysh natyrën specifike të këtij krimi të urryer. Ndërkombëtarisht, provat kanë dëshmuar se për shumë arsye, kurrë nuk do të lajmërohen të gjitha të mbijetuarat. Prandaj, ashtu si me prevalencën e ndonjë krimi të tillë, është e pamundur të arrihet ndonjëherë në një numër të caktuar.

Vlerësimi i “më shumë se 20,000 grave” rrjedh nga disa burime. Ndër më bindëset, bazuar në një studim të grave refugjate të kryera nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Hynes dhe Lopes Cardozo, vlerësuan se midis 23.200 dhe 45.600 grave kosovare u përdhunuan ndërmjet gushtit 1998 dhe gushtit 1999.[1]

Autorë të tjerë jashtë Kosovës, pa absolutisht asnjë interes politik, kanë dhënë vlerësime të ngjashme, siç janë detajuar në raportet paraprake të RrGK-së. Këto vlerësime nuk përfshijnë gratë e etnive të tjera ose burrat që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe që gjithashtu kualifikohen për përfitime shtetërore sipas Ligjit të ndryshuar për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimat Civile dhe Familjet e Tyre.

Lidhur me faktin se krime të tilla të rënda raportohen rrallë, nuk është aspak befasuese që vetëm 968 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit. Përkundrazi, kjo tregon se u lajmëruan shumë gra të guximshme.

“Në Bosnjë dhe Herzegovinë, u përdhunuan rreth 60,000 gra, por aplikuan përafësisht 1000”, tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK. “Pse? Sepse ato nuk donin të lajmëroheshin për shkak të stigmës. Pra, shumica e të mbijetuarave mund të mos aplikojnë, por për to është më e rëndësishme që shoqëria të mos i stigmatizojë më”.

RrGK dhe anëtarët e saj e dinë nga përvoja se disa të mbijetuara nuk duan të lajmërohen për arsye personale. Shoqëria duhet të respektojë zgjedhjen e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të presim apo të kërkojmë që ato të lajmërohen në qoftë se ato zgjedhin të mos e bëjnë këtë. Ajo që është e rëndësishme është që të mbijetuarava tu njihet statusi dhe të jenë plotësisht të mbështetura nga institucionet dhe shoqëria kosovare.

Si përfundim, RrGK është thellësisht e dëshpëruar që deklarata të tilla të dëmshme u bënë nga KMDLNJ-ja, e cila historikisht ka qenë mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

RrGK vazhdon të shprehë mbështetje të fortë për të gjitha gratë dhe të gjithë burrat që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. RrGK do të vazhdojë të kërkojë drejtësi, njohje dhe respekt për të gjithë të mbijetuarit.