Përmes kësaj kumtese, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerjen e gjuhës diskriminuese, seksiste e mizogjeniste ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.
Së fundi, analisti politik, Halil Matoshi, në një debat televiziv në Kanal 10 i është drejtuar me gjuhë diskriminuese Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcit.
Gjuha e Matoshit duhet dënuar dhe si e tillë nuk përket askund, e aq më pak në televizione, media e debate publike. Gjuha diskriminuese ndaj grave nga burrat bëhet vetëm për faktin që ato janë gra dhe që gëzojnë poste të vendimmarrjes. Si të tilla, këto ofendime përveç që nuk përkojnë me punën dhe të arriturat e grave, ato për më tepër forcojnë gabimisht bindjet se gratë në politikë nuk janë mjaftueshëm të afta për postet që mbajnë.
Ky nuk është ofendimi i parë që i bëhet një gruaje në politikë. Kujtojmë se shumë persona publik i janë qasur me gjuhë të njejtë ofenduese, diskriminuese, seksiste e mizogjeniste shumë grave që ne kemi në pozita të vendimmarrjes, qoftë ajo nacionale apo lokale.
Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve diskriminuese, seksiste dhe mizogjeniste, siç është ky rast. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton edhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës.