Sot, RrGK dërgoi një letër me rekomandime Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në kuadër të përgatitjeve për buxhetin e vitit 2026. Rekomandimet tona fokusohen në Buxhetimin e përgjegjshëm gjinor (BPGj), që nënkupton ndarjen e fondeve publike në mënyrë të tillë që të adresohen nevojat e ndryshme të grave, burrave, vajzave dhe djemve, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Zbatimi i BPGj-së forcon transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e shpenzimeve qeveritare, duke promovuar njëkohësisht barazinë gjinore. Bazuar në hulumtimin e RrGK-së, RrGK rekomandon që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit:
- Të investojë drejtpërdrejt dhe të inkurajojë komunat të planifikojnë buxhet më të përballueshëm për krijimin e më shumë qendrave publike dhe kopshteve për kujdesin e fëmijëve sidomos në zonat rurale. Duke vendosur objektiva konkrete dhe alokime buxhetore bazuar në vlerësime të gjithanshme të nevojave, komunat mund të adresojnë nivelet e larta të papunësisë dhe pasivitetit. RrGK ka vlerësuar se zgjerimi i opsioneve të kujdesit ndaj fëmijëve mund të krijojë afërsisht 9,899 vende të reja pune në këtë fushë. Për më tepër, kjo do t’i mundësojë më shumë grave të punojnë dhe do të përmirësohen rezultatet arsimore në përputhje me Objektivat e Barcelonës, BE. Qeveria është zotuar për këto investime në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe tani duhet të bëhen alokimet buxhetore. Ndërsa Qeveria është mbështetur në donacionet ndërkombëtare për përmirësimin e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijë, ne i bëjmë thirrje MASHTI-t të alokojë më shumë fonde të tilla dhe të inkurajojë fuqimisht komunat që të bëjnë të njëjtën gjë. Shpresojmë në uljen e mbështetjes në financime të jashtme për të siguruar burime të mjaftueshme dhe të qëndrueshme buxhetore për të ardhmen për këtë prioritet të rëndësishëm të zhvillimit kombëtar.
- Të përfshijë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në Strategjinë e Arsimit dhe Planet e Veprimit, në buxhetin vjetor të arsimit, si dhe në politikat dhe legjislacionin për edukimin në fëmijërinë e hershme (EFH) dhe asistencën sociale, me qëllim përmirësimin e cilësisë së EFH-së dhe promovimin e të nxënit që sfidon stereotipet e dëmshme. Të planifikohen fonde për zbatimin e pedagogjisë dhe të sigurimit të cilësisë së përgjegjshme gjinore, duke përfshirë indikatorë për vlerësimin e zbatimit të kurrikulave, cilësisë së shërbimeve dhe përfituesve të shërbimeve për vajza dhe djem, sipas metodologjisë së përcaktuar nga RrGK. Linjat buxhetore duhet të përfshijnë fonde për strategjitë e sigurimit të cilësisë, skemat sociale, strategjitë e rekrutimit (veçanërisht për burrat në EFH), aktivitetet e angazhimit të komunitetit dhe trajnime, duke përfshirë trajnimin e detyrueshëm të mësimdhënësve, për të siguruar që ata të mund të zbatojnë kurrikulat që u ofrojnë vajzave dhe djemve mundësi të barabarta të të nxënit. Investimi në arsim cilësor mund të sigurojë që ndarjet buxhetore të përkthehen në rezultate domethënëse për barazinë gjinore, në përputhje me Planin e Veprimit të BE-së për Barazinë Gjinore III, CEDAW, OZHQ-të dhe Objektivat e Barcelonës të BE-së.
- Të investojë drejtpërdrejt dhe të inkurajojë komunat që të buxhetojnë për arritjen e qasjes universale në kompjuterë dhe internet në të gjitha shkollat e Kosovës, veçanërisht në zonat rurale. Duhet të ndahen burime për të siguruar që aftësitë digjitale të përgjegjshme gjinore të integrohen në kurrikula, në mënyrë që si vajzat ashtu edhe djemtë të fitojnë kompetencat e nevojshme për pjesëmarrje në tregun e punës. Evidencat tregojnë se, megjithëse gratë dhe burrat kanë qasje të ngjashme në telefona të mençur dhe internet, 41% e grave në zonat rurale (krahasuar me 33% të burrave në zonat rurale) u mungojnë aftësitë digjitale të kërkuara nga tregu i punës. Investimi në qasje të barabartë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe në trajnime për aftësi digjitale, do t’u mundësojë grave dhe burrave në zonat rurale të përdorin mjetet digjitale për bujqësi, tregje dhe shërbime publike, duke mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe duke zgjeruar mundësitë e tyre në tregun e punës.
- Të publikojë shtojcën e Buxhetit të vitit 2026, të kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në përputhje me OZHQ 5, treguesi 5.c.1, duke shpjeguar në mënyrë transparente se si buxheti për vitin 2026 do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe shpenzimet përkatëse të parashikuara.
Lexoni letrën e plotë këtu.