Në kuadër të takimeve koordinuese me akterë që punojnë në fushën e luftimit të dhunës me Bazë Gjinore, të premten më 14 prill, përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) pritën në zyrat e RrGK-së Nitë Bylykbashi Deliun, Zyrtare e Lartë e Projektit në Këshillin e Evropës Zyra në Prishtinë dhe Beatriçe Sopa Çitakun, Asistente e Projektit në këtë Zyrë.
Menaxherja e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, RrGK, Adelina Berisha dhe zyrtarja e këtij programi, Besarta Breznica diskutuan me mysafirët për programin e RrGK-së kundër Dhunës me Bazë Gjinore, aktivitetet dhe objektivat për vitin 2023 me qëllim të koordinimit drejt adresimit sa më të mirë të dhunës me bazë gjinore.
RrGK vazhdimisht punon me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që të hartohen politika që do të ndikonin në parandalimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Javë më parë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës në Prishtinë, “Ndalja e ciklit të dhunës – programet për kryerësit e dhunës në familje”, RrGK ofroi rekomandime konkrete për gjithë procesin në vazhdim.