Më 20 shtator 2022, shefi i EULEX-it, z. Lars-Gunnar Wigemark së bashku me Zyrtaren për Çështje Gjinore znj. Chiara Tagliani vizituan zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Mbështetja e institucioneve të Kosovës për adresimin efektiv dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë në rastet e dhunës seksuale ishte në fokus të diskutimit të mysafirëve të EULEX-it me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova.
Rogova tha se dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave të Kosovës që ka shënuar rritje kohëve të fundit mund të ndalet vetëm nëse ka bashkëpunim institucional, ku institucionet i zbatojnë të gjitha ligjet që janë të aplikueshme në vend, siç është Kodi Penal dhe Konventa e Stambollit për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave, në mënyrë që viktimat e dhunës seksuale të ndihen të sigurta, ndërsa kryesve të dhunës të ju shqiptohen nga gjykatat dënime maksimale siç janë të përcaktuara me Kodin Penal.
Ata diskutuan edhe për mënyrën se si të vazhdohet tutje me raportin e fundit të EULEX-it lidhur me trajtimin e rasteve të dhunimit nga gjyqësori i Kosovës dhe dënimet shpeshherë tepër të kufizuara.
Pas takimit, në një postim në Twitter Wigemark ka çmuar lart punën e RrGK-së për avancimin e të drejtave të grave në Kosovë.
“Është rast shumë mirë të takohem edhe një herë me Igballe Rogovën në RrGK. ajo dhe Rrjeti i Grave të Kosovës janë pioniere për të drejtat e grave në Kosovë,” ka shkruar ai.
Në fund është theksuar se RrGK dhe misioni i EULEX-it kanë një bashkëpunim të fuqishëm dhe do të vazhdojnë ta mbështesin njëri-tjetrin dhe institucionet tjera përkatëse në luftën kundër dhunës seksuale.