Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) për dekada me radhë angazhohet për mbështetjen dhe promovimin e të drejtat dhe interesave të grave dhe vajzave anë e mbanë Kosovës.
Tashmë, kemi plot 189 organizata me të cilat bashkëpunojmë ngushtë për realizimin e misionit tonë. RrGK çdo ditë punon që ta forcojë edhe më shumë lëvizjen feministe në Kosovë, duke përfshirë edhe më shumë aktivistë në përpjekjen tonë për barazi e drejtësi shoqërore.
Ndër vite, RrGK gjithmonë ka bërë përpjekje dhe u ka ofruar mundësi vullnetarëve nga Kosova por edhe nga vende të ndryshme të botës, të angazhohen direkt në punë praktike. Së fundmi, në mesin e programeve dhe nismave të shumta, RrGK ka zhvilluar një program më specifik për angazhimin e vullnetarëve, i cili synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për punë vullnetare në RrGK, por edhe direkt tek disa nga 189 organizatat tona anëtare nëpër tërë Kosovën.
Qëllimi i këtij programi është që të përfshijë më shumë aktivistë në agjendën feministe. Gjithashtu, programi u ofron vullnetarëve mundësi që të shohin nga afër punën e organizatave të vogla për të drejtat e grave, punën e tyre në komunitet e po ashtu edhe nevojat e grave në nivelin lokal. Vullnetarët do të ndihmojnë në ngritjen e temave të barazisë gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse, dhe jo vetëm.
Ne besojmë se puna vullnetare fuqizon pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin, si dhe angazhon qytetarët në pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore. Puna vullnetare mund të ndihmojë në prodhimin e një efekti transformues në shoqëri duke zvogëluar pabarazitë sociale dhe ato ekonomike. Tutje, ajo ndihmon në ngritjen e solidaritetit dhe kontribuon në krijimin e një lidhjeje të fortë në komunitet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjerohet mundësia e angazhimit përtej marrëdhënieve të tregut dhe të rritet vlerësimi për punën e papaguar.
Vullnetarët janë të çmuar për organizatën tonë dhe puna e tyre respektohet shumë. Ata pasurojnë projektet dhe aktivitetet tona me kontributin e tyre. Ata na ndihmojnë të zgjerojmë shtrirjen e programeve dhe të përmirësojmë projektet tona. Ky program u jep individëve mundësinë të përfshihen dhe të bëhen palë të interesuara në lëvizjen për drejtësi dhe barazi sociale. Puna vullnetare bëhet me vullnet të lirë me dëshirën për të kontribuar për një të mirë të përbashkët por ajo në asnjë rrethanë nuk duhet ta zëvendësojë punën me pagesë.
Erin Brown ndau përshtypjen e saj për bashkëpunimin me RrGK-në, duke vlerësuar ekspertizën dhe mësimet që janë duke përfituar nga ky bashkëpunim me RrGK-në.
“Mundësia për punën vullnetare në RrGK më ka dhënë një përvojë të dorës së parë mbi rëndësinë e shoqërisë civile dhe aktivizmit feminist në avokim” tha Erid Brown, vullnetare në RrGK.
“Gjatë kohës sime në RrGK, kam punuar në projekte domethënëse dhe kam mësuar për ndikimin e aktivistëve të shoqërisë civile të Kosovës në mbarë vendin. Jam mirënjohëse kolegeve të RrGK-së që më dhanë mundësinë të mësoj dhe të punoj në çështjet feministe në Kosovë” shtoi ajo.
Së fundi, RrGK ka zhvilluar dy fushata të suksesshme në terren falë kontributit të vullnetarëve. Në vitin 2019, rreth 200 vullnetarë për pesë ditë (25-29 shtator) kanë biseduar me qytetarë duke shkuar derë më derë në mbi 15 komuna të Kosovës, përfshirë komunat serbe, për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor 2019. Kurse, më 2021, rreth 80 vullnetarë, për pesë ditë (11-15 tetor), biseduan me qytetarë në 23 komuna të Kosovës duke shkuar përsëri derë më derë, për të biseduar së bashku lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të barabartë të grave në zgjedhje.
RrGK mbetet e përkushtuar që të ofrojë sa më shumë mundësi për punë vullnetare për të gjithë të interesuarit. Nëse jeni të interesuar apo njihni dikë që ka interes për punë vullnetare, ju lutemi na shkruani në vullnetaret@womensnetwork.org
Ky program i rëndësishëm për angazhimin e vullnetarëve së fundi është mbështetur përmes nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë” nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, si dhe po vazhdon të marrë përkrahje nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).