Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza sot në Skënderaj ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve, bankave, zyrtarëve komunalë dhe shoqërisë civile për të diskutuar mbi fushatën vetëdijësuese të RrGK-së për rritjen e ndërgjegjësimit mbi politikat e përgjegjshme gjinore për familjen.
Disa përfaqësues të bizneseve thanë se janë të kënaqur me informimin mbi Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë, dhe për politika miqësore për familjen në vendin e punës që po u ofrohet bizneseve të vogla.
Zyrtarja e Programit për Fuqizimin Ekonomik të Grave në RrGK, Adelina Tërshani, ka inkurajuar bizneset lokale që të vazhdojnë gatishmërinë që të jetësojnë në praktikë politikat miqësore për familjen që dalin nga Direktiva e BE-së, duke shtuar se zbatimi i kësaj direktive ndihmon në arritjen e barazisë gjinore.
Dea Pallaska O’Shaughnessy, Analiste e Programit per Popullsi dhe Zhvillim në UNFPA tha se ky takim tregon “vlerën e ndryshimit të të bërit biznes,” që sipas saj ndihmon po ashtu edhe në fuqizimin ekonomik të grave.
Nisma e RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi” është mbështetura nga UNFPA dhe financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.