RrGK forcon kapacitetet për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor në Mbrojtjen Sociale për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Gjashtë aktivistë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptas u trajnuan mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) për Shërbimet e Mbrojtjes Sociale, si pjesë e projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të rritur qasjen në mbrojtje sociale cilësore për gra dhe burra të ndryshëm” i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në bashkëpunim me Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK), trajnimi i mbajtur më 14 korrik 2025 synoi forcimin e kapaciteteve lokale për monitorimin dhe avokimin për reforma gjithëpërfshirëse në mbrojtjen sociale. Trajnimi u mbajt nga Elirjeta Beka, Zyrtare për Fuqizimin Ekonomik të Grave dhe BPGj, ku pjesëmarrësit u pajisën me mjete dhe njohuri për të vazhduar përpjekjet e tyre avokuese brenda komuniteteve të tyre.

Më konkretisht, pjesëmarrësit mësuan rreth BPGj, Ligjit për Barazi Gjinore dhe mënyrës së analizimit të kornizës buxhetor lokale vjetor dhe afatmesëm nga një perspektivë gjinore. Trajnimi gjithashtu trajtoi praktikat e mira dhe të këqija sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e buxhetimit, me theks të veçantë në ndarjet buxhetore për shërbimet sociale. Pjesëmarrësit diskutuan rëndësinë e konsultimeve publike dhe mënyrën e dorëzimit të rekomandimeve efektive gjatë këtyre proceseve. Grupi theksoi nevojën që të gjitha komunitetet të përfshihen në vendimmarrjen lokale, veçanërisht gjatë planifikimit të buxhetit, në mënyrë që nevojat e tyre të reflektohen në politikat publike.