RrGK fton mediat ta përcjellin protestën “Kundër vrasjes së grave: Femicidi është urgjencë kombëtare!”

Prishtinë, 24 nëntor 2026

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) fton mediat ta përcjellin protestën “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, e cila do të mbahet nesër, më 25 nëntor 2026, në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përmes kësaj proteste, RrGK dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjes së grave. Mesazhi është i qartë: Femicidi është urgjencë kombëtare dhe parandalimi i tij është detyrim institucional.

Vrasjet e grave nuk ndodhin gjithmonë pa paralajmërim. Ato shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës. Prandaj, institucionet duhet të veprojnë me kohë, t’i marrin seriozisht raportimet dhe kërkesat për ndihmë dhe të sigurojnë mbrojtje efektive, para se dhuna të përfundojë me humbjen e një jete.

Përmes kësaj proteste, kërkojmë:

  1. Ndryshimin e Kodit Penal dhe përkufizimin e femicidit si vepër penale të veçantë, duke njohur motivin gjinor dhe kontekstin e dhunës që mund t’i paraprijë vrasjes së një gruaje.
  2. Krijimin e mekanizmit Femicide Watch, për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për vrasjet e grave, identifikimin e mundësive të humbura për ndërhyrje dhe adresimin e përgjegjësive institucionale.
  3. Buxhetim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e grave, përfshirë strehimoret, linjën telefonike emergjente, qendrat për trajtimin e rasteve të dhunimit seksual dhe shërbimet e tjera të specializuara.
  4. Miratimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit, me mekanizma funksionalë, koordinim ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë gratë.

Përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk mund t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë para se të jetë tepër vonë. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje. Ne kërkojmë ndryshime ligjore, mekanizma funksionalë, buxhete të mjaftueshme dhe llogaridhënie.

Ftojmë mediat që ta përcjellin protestën dhe të kontribuojnë në përçimin e kërkesave tona për drejtësi, mbrojtje dhe përgjegjësi institucionale.

Me respekt,

Rrjeti i Grave të Kosovës