RrGK publikon raportin “Me çfarë çmimi?”: Vlerësimi i kostove të shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë 

Download File

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka publikuar sot, në hapësirat e Stacionit Kulturor në Prishtinë, raportin “Me çfarë çmimi? Vlerësimi i kostove të shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë”. Raporti evidenton kostot reale të shërbimeve të nevojshme për parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe mangësitë në planifikimin dhe financimin e tyre. 

Ndonëse Kosova ka rritur financimin për disa shërbime, buxheti aktual mbetet i pamjaftueshëm për të garantuar mbrojtje dhe shërbime cilësore e të qëndrueshme për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Nicole Farnsworth, Drejtore e RrGK-së, theksoi se raporti shqyrton ndryshimet ligjore, politike dhe, në veçanti, buxhetore që nevojiten për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e grave. Farnsworth tha se, gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2027, vëmendja duhet të jetë edhe te mënyra se si ndahen paratë publike dhe te prioritetet që ato reflektojnë. 

“Buxheti nuk është thjesht një dokument teknik. Janë paratë tona, paratë e taksapaguesve. Dhe mënyra se si shpenzohen ato është çështje politike”, tha ajo.  

Publikimi i raportit vjen në një moment të rëndësishëm, kur institucionet janë në proces të shqyrtimit të Buxhetit për vitin 2027. RrGK theksoi se zotimet ligjore dhe strategjike për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore duhet të shoqërohen me ndarje konkrete buxhetore, të bazuara në nevoja dhe kosto reale. 

Duke u bazuar në gjetjet e raportit, RrGK u ka dërguar rekomandimet kryesore për Buxhetin e vitit 2027 dhe ka bërë thirrje Kuvendit dhe deputetëve që të sigurojnë financimin e nevojshëm për shërbimet sociale dhe të specializuara, përmes: 

  • Dy punonjës socialë shtesë në secilën nga 37 komunat dhe katër në Prishtinë, me kosto prej 18,130€  për secilën komunë dhe 36,260€ për Prishtinën në vitin 2027. 
  • Rritjes së buxhetit për organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare nga 2.5 milionë € në së paku 5 milionë €, përfshirë financimin e qëndrueshëm të strehimoreve dhe shërbimeve të tjera. 

Poashtu, Rita Glavitza, Këshilltare dhe Udhëheqëse e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Teknik në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, theksoi rëndësinë e investimit në shërbime konkrete për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore: “Çështja nuk është nëse Kosova ka mundësi të investojë në shërbime për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, por nëse mund ta përballojë të mos investojë në to. Çdo buxhet pasqyron prioritetet tona dhe çdo e mbijetuar meriton mbështetje konkrete, jo vetëm garanci ligjore”, tha Rita Glavitza. 

Ndërkaq, Dr. Gjylieta Mushkolaj, anëtare e Bordit të RrGK-së, e lidhi rëndësinë e këtyre gjetjeve me vrasjen e Arlinda Zekajt më 25 tetor, duke dëshmuar se mungesa e mbrojtjes institucionale mund të ketë pasoja të pakthyeshme: 

“Pas mangësive institucionale, për të cilat RrGK ka paralajmëruar vazhdimisht përmes hulumtimeve, nuk qëndrojnë vetëm probleme të organizimit, koordinimit apo financimit të shërbimeve, por jetë njerëzore që rrezikohen kur shteti nuk i përmbush detyrimet e veta për mbrojtje. Prandaj, gjetjet e këtij raporti nuk duhet të trajtohen thjesht si rekomandime për përmirësimin e politikave buxhetore, por si thirrje serioze për veprim institucional”, tha Mushkolaj. 

Gjetjet kryesore të raportit 

Raporti evidenton disa sfida kryesore që pengojnë ofrimin e shërbimeve të specializuara: 

  • Financimi i pamjaftueshëm: Mjetet aktuale buxhetore nuk mbulojnë nevojat reale të shërbimeve të specializuara. Pavarësisht rritjes së mbështetjes për disa shërbime, veçanërisht strehimoret, financimi dhe themelimi i shërbimeve të tjera mbeten të pamjaftueshme. 
  • Planifikimi buxhetor jo i bazuar në nevoja dhe kosto reale: Megjithëse buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është obligim ligjor, zbatimi i tij në praktikë mbetet i kufizuar. Ndarjet buxhetore shpesh nuk pasqyrojnë nevojat konkrete dhe kostot reale të ofrimit të shërbimeve. 
  • Mungesa e qëndrueshmërisë financiare: Shërbimet kanë nevojë për financim të parashikueshëm dhe të mjaftueshëm për të garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e mbështetjes për të mbijetuarat. 
  • Mungesa e shërbimeve kryesore: Qendrat për Trajtimin e Rasteve të Dhunimit, Qendrat e Referimit për Dhunën Seksuale dhe Linja Telefonike SOS, të kërkuara sipas Standardeve të Kosovës, ende nuk janë funksionalizuar. 

Përmes këtij raporti, RrGK synon të kontribuojë në vendimmarrje buxhetore të bazuar në evidencë dhe në përmirësimin e planifikimit e financimit të shërbimeve të specializuara në Kosovë. Sigurimi i këtyre shërbimeve kërkon jo vetëm financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm, por edhe ndryshime ligjore dhe institucionale që garantojnë se asnjë e mbijetuar nuk mbetet pa mbështetjen e nevojshme. 

Pas prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore nga Era Kadriu, hulumtuese në RrGK, ishte paneli i diskutimit me temën “Nga rekomandimet te zbatimi – kush paguan për shërbimet për të cilat kanë nevojë të mbijetuarat?”, i moderuar nga Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK. 

Diskutimi u përqendrua në përgjegjësitë institucionale dhe financiare për zbatimin e rekomandimeve dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. 

Gjatë  lansimit, institucionet pjesëmarrëse në këtë aktivitet shprehën interesin e tyre për rekomandimet dhe vijuan dialogun rreth tyre. 

Në fjalën e tij hyrëse, Blerim Shabani, Drejtor i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, deklaroi se Ministria po zhvillon modelin e parë në rajon për përcaktimin e kostos së shërbimeve dhe se Ministria ka bashkëpunuar me RrGK-në për të zhvilluar këtë metodologji përcaktimi të kostos për strehimoret rezidenciale për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. 

“E falënderojmë RrGK-në për përgatitjen e këtij vlerësimi të kostos së shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, në përputhje me synimin e Departamentit për të standardizuar kostot për të gjitha shërbimet, ashtu siç kemi bërë edhe në bashkëpunim me UNICEF-in për shërbimet për fëmijët. Për ne, RrGK-ja mbetet një partnere e rëndësishme dhe e vlefshme”, tha ai.  

Fatime Lumi Qehaja shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të dialoguar me shoqërinë civile lidhur me ndryshimet e ardhshme në ligjet për financat publike, me synim integrimin e një perspektive gjinore dhe të buxhetimit të ndjeshëm ndaj gjinisë. 

Gjithashtu, Nazmije Kajtazi shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të ndërmarrë veprime drejt krijimit të Qendrave për Trajtimin e Viktimave të Dhunës Seksuale, si dhe për të forcuar kapacitetet njerëzore për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore në mënyrë të kujdesshme dhe konfidenciale. 

RrGK planifikon të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë drejt përmirësimit të kuadrit ligjor dhe buxhetor për të adresuar më mirë dhunën me bazë gjinore. Raportin e plotë “Me çfarë çmimi?” mund ta gjeni këtu: https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2026/11/Me-Cfare-Cmimi-2026_1.pdf.